Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

TE BEJME REALITET DETYRIMET E PUNEDHENESIT PER MOTIVIMIN E MESUESVE TE DALLUAR

Nga Xhafer Dobrushi, kryetar i FSASH

Sot, kudo ne Europe e me gjere, perfshire edhe vendin tone, flitet shume per objektivat madhore ne fushen e arsimit, objektiva qe synojne nje arsim cilesor publik, shanse te barabarta per te gjithe femijte e moshes se arsimimit te detyruar  dhe te mesuarit gjate gjithe jetes. Arritja e ketyre objektivave nuk eshte synim vetem i mesuesve e pedagogeve, i sindikatave te arsimit, nxenesve dhe prinderve. Nuk eshte dhe nuk mund te jete synim vetem i Ministrise Arsimit dhe Shkences. Keto objektiva duhet te perbejne synime paresore per cdo qeverisje, per forcat politike te vendit, per gjithe shoqerine. Kjo sepse arritja e tyre nuk ka te beje vetem me zhvillimin e nje sektori, sic eshte arsimi, por me gjithe shoqerine, kushtezon progresin dhe mireqenien e saj per te sotmen dhe te ardhmen. Mijevjecari i ri dhe shekulli i pare i tij karakterizohen nga zhvillime te larta te shkences, teknikes e teknologjise. Dhe popujt qe aspirojne te ecin perpara, te integrohen ne familje te medha, sic eshte ajo europiane apo euroatlantike, nuk kane rruge tjeter vecse arsimimin cilesor te brezave te rinj, qe arrihet nepermjet nje shkolle te reformuar dhe te konsoliduar.
Eshte e njohur se  nje nga  faktoret baze qe mundesojne suksesin ne procesin e reformimit dhe konsolidimit te shkolles ne te gjitha nivelet eshte mesuesi.
Sindikatat e Arsimit, te perfshira ne kete proces transformimi, po bejne perpjekje per nje vleresim me real dhe me te mire te figures se mesuesit, perfshire jo vetem respektin ndaj tij, por edhe nje trajtim material qe nenkupton page, shperblime dhe kushte pune e jetese me te mira ne pershtatje me cilesine e punes qe ben dhe kontributit qe jep per arsimimin e nxenesve.
Ne saj te luftes se vendosur qe kane zhvilluar sindikatat, por edhe nga predispozicioni qe ka treguar qeveria, sidomos ne keto 3 vitet e fundit,  pagat e mesuesve te sistemit te arsimit parauniversitar kane ardhur duke u rritur nga viti ne vit. Sot mesatarja e pages neto te nje mesuesi ne arsimin parashkollor eshte 29.826 leke, ne arsimin 9 vjecar 31.875 leke dhe ne arsimin e mesem 34.160 leke. Keto paga i perfitojne te gjithe mesuesit, ose me sakte rreth 36.000 prej tyre, qe jane te punesuar ne menyre definitive ne nivelet e ndryshme te arsimit parauniversitar, pavaresisht rezultateve qe arrijne ne procesin mesimor.
Por, ne kete rast, nuk e kemi fjalen  vetem per pagen qe merr sot nje mesues sipas grupit, dmth diplomes qe ai zoteron, sipas vjetersise dhe kualifikimit qe ka dhe sipas pozicionit qe ze ne piramiden e punonjesve te arsimit parauniversitar, sepse ky nivel page eshte i garantuar per te gjithe. Fjala eshte per te dalluar ata mesues qe jane shembull i mbajtjes dhe i mbrojtjes se figures se tyre si edukator, qe jane te angazhuar dhe ne pararoje te punes per arritjen e objektivave per nje arsim publik cilesor, qe ofrojne per nxenesit  nje mesimdhenie te nivelit bashkekohor, qe sakrifikojne nga vetja e tyre per t’u qendruar afer nxenesve qe kane nevoje, perfshire ata me probleme, qe ndikojne ne uljen dhe minimizimin e numrit te nxenesve qe braktisin shkollen ose frekuentojne me nderprerje, sepse punojne ne rruge, etj.
Jane keta mesues qe duhen vleresuar e respektuar per punen qe bejne. Jane keta mesues qe duhen motivuar, duke i shperblyer, duke i paguar per ate cka japin me shume se koleget e tyre. Ketu nuk eshte fjala per sakrifica te medha nga buxheti i shtetit, por per perdorimin drejt, me kriter, te atyre fondeve qe permban buxheti ekzistues.
Nje burim i rendesishem brenda buxhetit te cdo viti eshte Fondi i Vecante. Me ligj ky Fond eshte i barabarte me 5 perqind te fondit te pergjithshem te pagave bruto te mesuesve te sistemit parauniversitar. Pra, behet fjale per me shume se 1 miliarde leke te reja. Ne baze te vendimit te Keshillit te Ministrave Nr. 434 date 28.06.2006 dhe te Udhezimit te Ministrit te Financave Nr.21 date 18.09.2007,  ky fond perballon shperblimin prej 10.000 lekesh qe mesuesit marrin ne fund te vitit, perballon veprimatri te programuara kulturore, ndihmat ne raste fatekeqesish, dhenien e deri dy pagave per mesuesit anetare te sindikatave qe dalin ne pension dhe per te shperblyer mesuesit e dalluar per pune cilesore. Pikerisht per kete flet Kontrata Kolektive e Punes e nivelit te pare, nenshkruar me 4 Korrik 2006 nga Ministri i Arsimit dhe Shkences, nga njera ane dhe kryetaret e FSASH e SPASH, nga ana tjeter.  Ne nenin 8, pika 8, shkronja “b” te kesaj Kontrate shprehimisht thuhet : “ Ne fund te cdo viti mesimor DAR dhe ZA ne bashgkepunim me Seksionet Sindikale perkatese, duke u mbeshtetur ne kontrollet e kryera dhe ne vleresimet qe bejne drejtoret e shkollave dhe keshillat sindikale perkatese shpallin per cdo shkolle e rreth mesuesit me te mire te vitit”. Zbatimi i kesaj kerkese te Kontrates Kolektive te Punes nga punedhenesit dhe punemarresit e nivelit te dyte perben bazen per te motivuar mesuesit e dalluar gjate vitit kalendarik ose ne fund te tij deri ne masen e nje page mujore.
Por, megjithe kerkesat e Seksioneve Sindikale, kjo dispozite e KK te Punes nuk po gjen zbatim nga DAR dhe ZA. Praktika qe u zbatua ne fund te vitit te kaluar nga keto institucione ishte, ne pergjithesi, ndarje e barabarte e ketij fondi per te gjithe mesuesit e shkolles pavaresisht nga kontributi i tyre, ose organizimi i nje dreke apo darke festive. Sindikatat e kane denoncuar dhe e denoncojne kete praktike si abuzive, antiligjore, ne kundershtim me frymen e Ligjit per buxhetin e shtetit, ne kundershtim me dispozitat e VKM “ Per Fondin e Vecante”dhe me KK te Punes. Perdorimi i ketyre fondeve ne kete menyre nuk i sherben qellimit per te cilin ato para jane akorduar, pra ky eshte nje shperdorim.
Ajo qe kerkojne sot FSASH dhe SPASH eshte qe Fondi i Vecante te mos shperdorohet. Ky Fond, mbasi te perballoje shperblimin  prej 10.000 lekesh per cdo mesues ne fund te vitit, mbasi te zbriten prej tij shpenzimet qe jane bere per te shperblyer mesuesit qe dalin ne pension ose ndihmat ne rastet e fatkeqesive apo veprimtarite e spikatura kulturore, pjesa qe mbetet, dhe kjo eshte e konsiderueshme, te perdoret vetem per motivimin e mesuesve me te dalluar sipas kritereve qe percakton Kontrata Kolektive e Punes, kritere qe jane miratuar si nga Ministria e Arsimit dhe Shkences ashtu edhe nga Sindikatat.
Nese deri tani drejtorite e shkollave nuk kane indikatore te sakte mbi bazen e te cileve vleresohet puna cilesore e cdo mesuesi, ky nuk eshte faji i sindikatave. Sindikatat kane te dhena te sakta per ata mesues sindikaliste qe jane dalluar ne procesin mesimor, qe jane kualifikuar vete dhe kontribuojne ne kualifikimin e kolegeve te tyre per implimentimin e programeve te reja mesimore, qe jane dalluar ne punen me nxenesit qe frekuentojne me nderprerje mesimin dhe punojne ne rruge, ose qe kane sakrifikuar dhe sakrifikojne duke punuar me komunitetin, qeverine e nxenesve apo aktore te tjere te interesuar per te kthyer ne shkolle nxenesit braktises. Jane keta mesues qe, me punen dhe aftesite e tyre, me angazhimin serioz e te pergjegjshem per zbatimin e kerkesave te reformes e te Strategjise se Arsimit Parauniversitar, kane bere te mundur qe qindra nxenes ne rrethet Tirane, Shkoder, Durres, Fier, Korce, Elbasan etj, te dalin nga rreziku i braktisjes se shkolles dhe qindra te tjere qe e kishin braktisur me pare shkollen te kthehen e te vazhdojne mesimet si gjithe shoket e shoqet e tyre. Pikerisht keta jane shembulli me i mire nxites edhe per koleget e tjere te tyre, per te ngritur ne masen e madhe te mesuesve nje opinion te qendrueshem dhe te fuqishem kunder braktisjes se shkolles, punes se femijeve, shtimit te radheve te analfabetve ne shoqeri, etj.
Per kete ata meritojne qe te shperblehen.