Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

PUNA E FËMIJEVE NË SHQIPËRI  

Përshkrimi i gjendjes,

Fushat e veprimit për sindikatat shqiptare

 

Raport nga Samuel Grumiau

për Konfederatën Ndërkombëtare të Sindikatave të Lira (ICFTU)

 

Bruksel, tetor 2004

 

 

 

 

 

TABELA E  LËNDËS                   

Hyrje

Përkufizim

Legjislacioni shqiptar lidhur me punën e fëmijëve dhe arsimin  e detyruar të fëmijëve.

Arsimi në Shqipëri

Fushat kryesore ku punojnë fëmijët

Shkaqet kryesore që shpjegojnë punën e fëmijëve në Shqipëri.

Opinioni publik shqiptar përsa i përket punës së fëmijëve.

Shembull veprimesh që mund të ndërmarrin sindikatat shqiptare.

Lista e bashkëbiseduesve që janë takuar gjatë  punës kërkimore

Bibliografia 

 

HYRJE

 

Deri në vitin 1990,  Shqipëria ka njohur një nga regjimet më të mbyllura  dhe një nga diktaturat më të këqija të Evropës qendrore e lindore. Kalimi në ekonominë e tregut la shkas  për ekseset më të këqija, e veçanërisht për ngritjen e sistemit të « piramidave » për grumbullimet financiare që shkatërruan investimet reale dhe që, me përmbysjen  e tyre, çuan në një krizë shoqërore të mprehtë, në pragun e nje lufte civile dhe në shkatërrimin e institucioneve politike (1997). Që nga ajo kohë, gjendja politike është stabilizuar disi, por në planin ekonomik, gjendja në Shqipëri është ende shumë e paqëndrueshme dhe  Shqipëria mbetet një nga vendet që paraqet më shumë vështirësi  ekonomike në Evropë.

Sipas një studimi të kryer në 2002 nga Instituti i statistikave, të rimarrë në raportin e fundit mbi Shqipërinë  të « The Economist Intelligence Unit », 25% e popullsisë  shqiptare jeton në kufijtë e varfërisë (më pak se dy dollarë në ditë) dhe  5% jeton në kushtet e varfërisë së skajshme (më pak se një dollar në ditë), pa pasur mundësi të sigurojë bukën e gojës. Strukturat shoqërore të ngritura në periudhën totalitare nuk ekzistojnë më, ndërsa sistemi i sigurimit shoqëror aktual është shumë i dobët për të zbutur varfërinë.

Rritja e varfërisë ka pasur pasoja të drejtpërdrejta mbi kushtet e jetesës së fëmijëve shqiptarë që përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë: ndër pak më shumë se 3,1 milion shqiptarë që banojnë në Shqipëri, afërsisht 33% janë më pak se 15 vjeç, 40% më pak se 18 vjeç sipas të dhënave të publikuara  në 2001 nga Komiteti Kombëtar i Gruas dhe Familjes. Pavarësisht nga tradita historike dhe kulturore  e shqiptarëve për ta vënë fëmijën në qendër të shqetësimeve familjare, disa prindër, po i japin gjithnjë e më pak rëndësi shkollimit të fëmijëve dhe parapëlqejnë që ata të punojnë për të kontribuar në të ardhurat e familjes. Përveç punës së pamjaftueshme nga ana e autoriteteve, ky evoluim shpjegohet edhe me një sërë faktorësh shoqërorë e ekonomikë si: degradimi i ekonomisë; mungesa e shkollave ose e mësuesve në disa rrethe; mosmarrëveshjet në familje; mungesa e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shkollimit, gjakmarrja, diskriminimi ndaj minoriteteve etnike etj.     

Aktualisht ekziston një statistikë e besueshme mbi numrin e fëmijëve që punojnë nëpër gjithë Shqipërinë.Organizata joqeveritare kanë bërë kërkime në rrethe të caktuara, por jo në plan kombëtar. Por është vështirë të përcaktohet numri i saktë, sepse shumica e fëmijëve punojnë në ekonominë informale. Statistikat që kanë të bëjnë me braktisjen e shkollës dhe vëzhgimet në terren na lejojnë, megjithatë, të mendojmë se numri i fëmijëve shqiptarë që punojnë shkon në dhjetra mijëra po të llogarisim këtu edhe ata që e ndjekin me hope shkollën. Sipas Institutit të Statistikave, 32% e fëmijëve nga mosha 6 deri 17 vjeç punojnë (disa shkojnë në shkollë, të tjerë jo). Një pakicë e tyre bëjnë format më të këqija të punës së fëmijëve: lypin, punojnë në ndërtim, në pastrimin e mbeturinave etj.

Lufta kundër punës së fëmijëve është një përparësi e Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave të Lira (ICFTU), organizatës më të madhe sindikale në botë. ICFTU përfaqëson 148 milion punëtorë të organizuar në 234 organizata sindikale anëtare, të shtrira në 152 vende dhe territore. ICFTU ka edhe dy organizata  anëtare në Shqipëri: BSPSH (Bashkimi i Sindikave të Pavarura të Shqipërisë) dhe  KSSH (Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë)

Realizimi i këtij raporti hyn në kuadrin e fushatës së ICFTU kundër punës së fëmijëve. Kjo fushatë synon, pikërisht, të sensibilizojë organizatat anëtare për këtë çështje dhe t’i mbështesë ato kur ndërmarrin veprime kundër punës së fëmijëve. Ky raport do të shërbejë si dokument përgatitor për një Tavoline te Rrumbullakte që do të pasojë Konferencën që do të organizohet nga ICFTU në Tiranë në 11 dhe 12 tetor 2004, ngjarje kjo që ka për qëllim të forcojë ndërgjegjësimin e sindikatave shqiptare lidhur me punën e fëmijëve  dhe të hartojë, bashkë me to, politikat dhe aksionet në këtë fushë.

Ky raport është fryt i një studimi dyjavor të kryer në shtator anembanë Shqipërisë në formën e intervistave informative me persona (sindikalistë, nëpunës, në Ministrinë e Punës, policë ose me organizata joqeveritare, ILO-IPEC UNICEF etj), ose me fëmijë që punojnë dhe familjet e tyre, si dhe vëzhgimeve në terren dhe analizës së raporteve të tjerë të shkruar për këtë çëshjte. Meqë koha për studimin dhe shkrimin e këtij raporti ishte e shkurtër, ky raport nuk mund të pretendojë të jetë i plotë dhe shkencor. Ai duhet konsideruar më shumë si një sintezë e shkurtër e çështjes së shtruar nga një pikëpamje sindikaliste, si një dokument që ne shpresojmë të kontribuojë për të vendosur piketat  për veprimtaritë tona sindikale në të ardhmen kundër punës së fëmijëve në Shqipëri.

Ne do të donim të falenderonim në mënyrë të veçantë Z. Stavri Liko, Sekretar Ekzekutiv i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës në Shqipëri (anëtare e KSSH) si dhe Znj. Edlira Dylgjeri, përgjegjëse e marrëdhënieve me jashtë e BSPSH, për ndihmën që na kanë dhënë për përgatitjen e realizimin e studimit tonë në Shqipëri.   

 

PËRKUFIZIM

Gjatë gjithë këtij raporti, shprehja «puna e fëmijëve» do të përdoret duke iu referuar  përkufizimit që jep për të  Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO)

(1). Është fjala për punë që mund të:

- dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin fizik, mendor, moral dhe shoqëror të fëmijës  

- rrezikojë edukimin e tyre:

. duke i privuar nga çdo lloj shkollimi;

. duke i detyruar të braktisin para kohe shkollën; ose

. duke i detyruar t’u shtojnë veprimtarive shkollore ngarkesën e veprimtarisë 

  profesionale që është shumë e rëndë dhe shumë e gjatë në kohë për ta.

Si nënvizon ILO, është e vështirë të përkufizosh gjithashtu format e punës që nuk hyjnë në kategorinë e punës së fëmijëve: «Pjesëmarrja e fëmjëve ose adoleshentëve në punë që nuk e dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre fizik ose nuk e pengojnë shkollimin e tyre zakonisht konsiderohet si një përvojë pozitive. Këtu përfshihen punët e shtëpisë ose brenda familjes ose veprimtaritë e ushtruara jashtë periudhës së shkollës, gjatë pushimeve për të fituar pak para xhepi. Kjo lloj pune ndihmon në zhvillimin e fëmijëve dhe në mirëqenien e familjes; ajo u lejon fëmijëve të fitojnë aftësi, shprehi dhe përvojë që të forcojnë kapacitetin e tyre dhe produktivitetin kur të rriten. »

 (2). Shprehja  «Format më të këqija të punës së fëmijëve » përcaktohet në varësi të Konventës Nr. 182- të ILO Mbi format më të këqija të punës së fëmijëve:

-  të gjitha format e skllavërisë ose praktikat e ngjashme, si shitja dhe trafikimi i fëmijëve, shtrëngimi dhe robërimi për borxhe, ose çdo punë e detyruar, përfshi këtu edhe rekrutimin me forcë të fëmijëve për t’i përdorur në konflikte të armatosura;

-  përdorimi, rekrutimi ose ofrimi i fëmijëve për qëllime prostitucioni, për prodhimin e materialeve pornografike ose spektakleve pornografike;

-     përdorimi, rekrutimi ose ofrimi i fëmijëve me qëllim për të krye veprimtari të paligjshme, si prodhimi dhe trafikimi i drogave, ashtu si përcaktohen nga Konventat ndërkombëtare specifike;

- punët që, për nga natyra e tyre ose kushtet në të cilat kryhen, mund të dëmtojnë shëndetin, sigurinë ose moralin e fëmijës..

 

(1)   « Shkulni nga rrënja format më të këqija të punës së fëmijëve: Udhërrëfyes për zbatimin e Konventës 182 të ILO »

(2)   Po aty

 

LEGJISLACIONI SHQIPTAR LIDHUR ME PUNËN E FËMIJËVE DHE ARSIMIN E DETYRUART PËR FËMIJË

Shqipëria ka ratifikuar shumicën e Konventave të Kombeve të Bashkuar dhe të Këshillit të Evropës. Ajo ka ratifikuar Konventën e ILO Nr.138 Mbi moshën minimale dhe Konventën  e ILO Nr.182  Mbi format më të këqija të punës së fëmijëve. Ajo ka marrë masa për të futur në legjislacionin e saj dispozitat e këtyre Konventave, megjithëse mbeten ende boshllëqe.

Kushtetuta shqiptare përmban dispozita të qarta për sa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Artikulli 54 sanksionon të drejtën e çdo fëmije  për t’u mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimet, shfrytëzimi dhe punët që mund të cënojnë shëndetin apo moralin e tyre, që mund të rrezikojnë jetën ose zhvillimin e tyre normal.

Legjislacioni shqiptar përcakton moshën kur një fëmijë mund të  nisë të punojë.  Ai  ka caktuar moshën 16 vjeç, me një përjashtim për fëmijët 14-16 vjeç gjatë periudhës së pushmeve të shkollës. Kjo punë duhet të jetë e lehtë. Duke filluar nga mosha 16 vjeç, fëmija mund të punojë  pa këto kufizime me kusht që mos bëhet fjalë për punë të rrezikshme (të cilat ndalohen deri në moshën 18 vjeç) dhe me kusht që të jetë lejuar nga inspektoriati i punës.

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në 2002-shin se çfarë nënkupton ai me punë të vështirë, por përkufizimi i tij nuk mbulon të gjitha punët që përfshihen në Konventën  182 mbi format më të këqija të punës së fëmijëve. 

Deri pak më parë legjislacioni shqiptar shpallte të detyruar shkollën 8-vjeçare (të barazvlershme me ciklin e parë  të së mesmes në vendet e Evropës perëndimore) Fëmija që hyn në klasë të parë të fillores në moshën 6 vjeç arrin këtë nivel në moshën 14 vjeç në qoftë se nuk ngel në klasë.  Por në fillim të vitit shkollor 2004-2005 hyri në fuqi një ndryshim i ligjit: në vend të tetë vjetëve shkollë, fëmija tani duhet të bëjë nëntë vjet. Ky kufi i ri, megjithatë, prek vetëm  fëmijët që fillojnë sivjet vitin e parë, pra do të ketë pasoja konkrete vetëm pas tetë vjetësh.

 

ARSIMI NË SHQIPËRI

 Në Shqipëri, si kudo gjetkë, sa më shumë të shkojnë fëmijët në shkollë, aq më pak kanë ata mundësi të detyrohen të punojnë, ndaj është e rëndësishme të interesohemi për gjendjen e arsimit, para se të shkojmë më tej. Statistikat e Qeverisë tregojnë se përqindja e fëmijëve në moshën e detyrimit shkollor që nuk shkojnë në shkollë aktualisht, ka rënë në 2%, ndërsa para disa vjetësh ishte ende 6-7 %. Disa nga bashkëbiseduesit tanë i vënë në dyshim statistikat dhe nënvizojnë se ekziston një ndryshim midis fëmijëve zyrtarisht të regjistruar në institucionet shkollore dhe fëmijëve që ndjekin rregullisht mësimin. Kështu ndodh veçanërisht në fshatra, ku të dhënat që jep UNICEF-i tregojnë se një e katërta e fëmijëve që rregjistrohen në klasën e parë nuk e mbarojnë shkollës fillore.

 

Shpërnguljet e brendshme

Gjithkush e pranon se cilësia e arsimit në Shqipëri ndryshon shumë. Fenomeni i shpërnguljeve të brendshme ndikon pjesërisht në këtë gjë: që nga fundi i diktaturës  me mijëra familje janë larguar nga zonat fshatare dhe janë vendosur në qytete për të gjetur punë. Kjo shpërngulje  ka shumë pasoja mbi arsimin:

1)Në fshatrat e braktisura nga familjet  që nisen drejt qyteteve,     ndonjëherë nuk ka aq fëmijë sa për të mbajtur një shkollë. Kështu shkollat ose janë mbyllur ose mbahen në kushte jonormale, me dy fëmijë dhe një mësues për shkollë. Ndonjëherë janë vetë mësuesit që ikin nga fshatrat  me shpresë që të jetojnë më mirë në qytet, duke braktisur shkollat që e kanë shumë të vështirë të gjejnë mësues të tjerë. Problemi bëhet edhe më i rëndë në shkollat e mesme të fshatrave: sigurisht ato janë më të pakta në numër gjë që i detyron nganjëherë nxënësit  të bëjnë orë të tëra për të bërë rrugën nga shtëpia në shkollë. Distancat që duhen përshkruar nuk janë shumë të gjata, por në zonat malore infrastruktura, rrugët shpesh janë në gjendje të keqe.   

2)Në qytete ku kanë ardhur të banojnë me mijëra familje nga zonat e largëta, rritja e numrit të shkollave ose e kapacitetit të tyre nuk ka ndjekur ritmet e popullsisë. Pra, shpesh klasat në qytete janë të mbipopulluara dhe kjo dëmton sigurisht cilësinë e mësimit. Klasat me më shumë se 40 nxënës janë të shumta në qytete, madje jo rrallë, në Tiranë ka klasa me 50 nxënës. Në këto kushte, është e vështirë t’u kërkosh mësuesve të merren më shumë me nxënësit në vështirësi ndërkohë që janë ata pikërisht që rrezikojnë më shumë të braktisin shkollën dhe të fillojnë të punojnë. Shkollat private ekzistojnë dhe ofrojnë kushte më të mira, por ato kushtojnë shumë dhe nuk përballohen nga shumica e shqiptarëve.

Rregjistrimi i familjeve të shpërngulura pranë administratave të zonave ku kanë ardhur të banojnë ndonjëherë përbën problem. Disa fëmijë nuk njihen nga autoritetet vendore, që nuk do ndërmarrin asnjë veprim ndaj prindërve, nëse këta të fundit nuk i dërgojnë në shkollë (duhet shënuar se përgjithësisht, autoritetet vendore nuk veprojnë në këtë rast, edhe kur fëmijët janë rregjistruar). 

 

Pak të motivuar për të dhënë mësim në zona të largëta

Shpesh është e vështirë t’i motivosh mësuesit  që kanë kualifikimin e duhur për të shkuar në fshatra të largët. Shpesh aty shkollat nuk janë të pajisura mirë edhe pse ka një tendencë për përmirësim: përshembull sipas statistikave të UNICEF-it, 30% e shkollave të fshatrave nuk kanë banja (kjo i dekurajon vajzat të ndjekin shkollën kur arrijnë moshën e adoleshencës). Rruga e gjatë, jeta jotërheqëse në këto vende, numri i vogël i fëmijëve, i shtyjnë edhe më shumë  mësuesit e kualifikuar të qëndrojnë në qytete, për më tepër që ngritja e rrogës që mund të përfitojnë duke punuar në zona të largëta është e papërfillshme. Drejtoritë e shkollave të vendosura në fshatra shpesh detyrohen të punësojnë mësues që nuk janë të diplomuar për të dhënë mësim në nivelin që u kërkohet. Kështu ka rreth 20-25% të mësuesve shqiptarë që japin mësim në këto kushte.

« Ikja e trurit »  shkakton pjesërisht  këtë mungesë mësuesish. Raporti vjetor mbi Shqipërinë në vitin 2004 i « The Economist Intelligence Unit » bën të ditur se afërsisht 40% e shqiptarëve të sapo diplomuar janë larguar nga vendi gjatë viteve 90 dhe se shumica e studentëve shqiptarë që studjonë në universitetet perëndimore nuk kthehen në Shqipëri në fund të studimeve të tyre.   

 

Paga shkurajuese

Pagat e mësuesve nuk janë ngritur aspak në Shqipëri, edhe pse qeveria i ka rritur më shpejt se sa pagat e shumicës së nëpunësve të tjerë të sektorit publik për t’i bindur ata që të mos e lënë profesionin: afërsisht 150 euro në muaj për mësuesin e shkollës fillore. « Nuk është e mundur të jetosh si duhet me një  rrogë të tillë në Shqipëri, shpjegon, Bajram Kruja, President i SPASH (Sindikata e Pavarur e Arsimit  Shqiptar, anëtare e BSPSH). Disa mësues kryejnë, pra, një punë tjetër pas mësimit ose i shtyjnë nxënësit e tyre të kërkojnë mësime private. Në Tiranë, për shembull, një orë mësimi privat në matematikë  kushton 7 euro.” Familjet më të varfëra nuk kanë mjete të paguajnë shuma të tilla, gjë që mund t’i shkurajojë fëmijët e tyre për të ndjekur shkollën. Nxënësit e mirë, nga ana e tyre, nuk kanë nevojë për këto mësime të veçanta, ata do t’i marrin provimet edhe sikur mësuesi i tyre të mos jetë shumë i motivuar gjatë orëve normale të mësimit. .

                     

Një mësues jo shumë i përqëndruar te fëmija

Metodat pedagogjike nuk kanë evoluar aspak në Shqipëri në këto vitet e fundit. Në shumicën e rasteve, mësimdhënia bëhet në mënyrë përsëritëse, pa ndonjë vullnet real për t’i vlerësuar fëmijët, aftësitë  e tyre, pa asnjë vullnet për t’ia përshtatur mësimin fëmijëve që paraqesin vështirësi. Një pjesë e mësuesve mbajnë qëndrime të papërshtatshme lidhur me fëmijët: « Ndëshkimet fizike ekzistojnë ende në disa raste në Shqipëri,  shpjegon Altin Hazizaj, drejtor i  CRCA (Children’s Human Rights Centre of Albania). Poshtërimet janë të shpeshta, me një gjuhë fyese për fëmijën. Kjo sigurisht ka një ndikim negativ në procesin mësimor të fëmijës, sepse viktimat e këtyre qëndrimeve tmerrohen nga ideja se duhet të shkojnë në shkollë dhe se aty mund të poshtërohen me fjalë fyese para nxënësve të tjerë”.  Këto qëndrime ekzistonin tashmë edhe gjatë periudhës së diktaturës

                                   

Kostoja e shkollimit

Që prej një viti, Qeveria shqiptare ua jep falas tekstet shkollorë nxënësve. Kjo nismë ka lejuar të ulet kostoja e shkollimit të fëmijëve, por sipas familjeve që takuam, buxheti i nevojshëm për të dërguar një fëmijë në shkollë fillore shkon nga 20 deri në 30 euro në vit. Ky buxhet përfshin pajisjet shkollore dhe disa veshje. Për dhjetra mijëra familje shqiptare kjo është një shumë që mblidhet me shumë vështirësi: siç e kemi treguar në hyrjen e raportit, 25% e popullsisë duhet të mbijetojë me një të ardhur më pak se dy dollarë në ditë, dhe 5% rreth një dollar në ditë.

                       

Procedura në rast mosrespektimi të detyrimit shkollor

Normalisht, kur një fëmijë mungon në shkollë për një periudhë të gjatë, shkolla njofton administratën vendore, që duhet të ndërhyjë pranë prindërve dhe në rast nevoje t’u vendosë një sanksion financiar në qoftë se fëmija nuk rifillon shkollimin. Ky proces zbatohej edhe nën diktaturë, por praktikisht nuk është zbatuar më në ditët tona, të paktën, për sa i përket sanksionit të prindërve. Ndodh që drejtorë shkollash e  mësuesë kontaktojnë me prindërit që nuk i dërgojnë më fëmijët e tyre në shkollë, por kjo nuk është sistematike dhe nuk i përfshin me të vërtetë autoritetet.

 

FUSHAT KRYESORE KU PUNOJNË FËMIJËT

Ne do të rimarrim më poshtë një listë të fushave kryesore ku punojnë fëmijët. Megjithatë le të insistojmë në faktin se kjo listë nuk është patjetër shterruese dhe se këto veprimtari nuk janë klasifikuar sipas numrit të fëmijëve të përfshirë në to, meqë shifrat zakonisht nuk njihen. Ajo bazohet në vëzhgime të bëra gjatë vëzhgimit të ICFTU në Shqipëri, mbi bazën fjalëve të bashkëbiseduesve që kemi takuar si dhe raporteve të tjerë mbi këtë temë. 

 

A)    Bujqësia

Pak kohë pas rënies së diktaturës, tokat bujqësore, deri edhe prona e shtetit, iu ndanë familjeve fshatare. Meqë Shqipëria është një vend malor, sasia  e tokave bujqësore që do të ndahej nuk ishte e madhe, kështu që familjet u gjendën me një ose dy hektarë tokë, pra shumë pak, vetëm për të jetuar. « Rastet kur një familje  bujqish mund të plotësojë nevojat e saj vetëm në sajë të kësaj veprimtarie janë shumë të rralla në Shqipëri, afirmoi  Alfred Xhomo, Kryetar i FSBUTSH (Federtata e Sindikatave të Bujqësisë, Ushqimit dhe Tregtisë së Shqipërisë, anëtare e  KSSH), një  sindikatë që deklaron se numëron 13.000 anëtarë.  « Anëtarë të familjes nisen pra në qytet për të gjetur një punë, të tjerë nisen jasht shtetit. Paratë e dërguara nga këta emigrantë u kanë lejuar disa familjeve fshatare të investojnë në  një minimum veglash dhe të shtojnë të korrat e tyre  për të shitur një pjesë të tyre, por kjo nuk mjafton për të jetuar denjësisht ». Bujqësia zë, sidoqoftë, vendin më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, ajo përfaqësonte gati 50% të prodhimit kombëtar bruto në 2002 dhe i siguron bukën e gojës gjysmës së popullsisë shqiptare.

Puna e fëmijëve në bujqësi shpjegohet pjesërisht me ikjen e pjesëtarëve të rritur të familjes jashtë shtetit ose në qytete, me shpresën për të  fituar më shumë para. Mungesa në fushë për shembull e babait, e gjyshit ose e xhaxhait plotësohet me një ose shumë fëmijë të familjes, sidomos gjatë peridhës së korrjeve. Fëmijët.që thithen nga kjo veprimtari bujqësore do të mungojnë gjithnjë e më shumë në shkollë, derisa ta braktisin përfudimisht atë. Mungesa e organizatave të mëdha joqeveritare në zonat e largëta e thekson këtë dukuri të shkëputjes dhe braktisjes së shkollës. 

Vështirësitë e sistemit shkollor në disa zona fshatare (shih fq. 3), mungesa e motivimit të disa familjeve fshatare për shkollimin e fëmijëve të tyre, janë disa shkaqe të tjera që shpjegojnë përse puna e fëmijëve është e përhapur në fshatrat e Shqipërisë. Një nga bashkëbiseduesit  tanë shpjegon se ka folur me një bari që pyeste se pse duhej t’i çonte fëmijët në shkollë, përderisa, sipas tij, e vetmja perspektivë në të ardhmen edhe për ta do të ishte rritja e dhenve.

Kur bashkëbiseduesit tanë pranojnë se bujqësia është një nga sektorët ku gjejmë më shumë punën e fëmijëve në Shqipëri, ata nënvizojnë gjithashtu se në shumicën e rasteve, kjo punë kryhet bashkë me prindërit ose të afërmit, që mendohet se kujdesen që fëmija të mos kryejë punë të rrezikshme.

B)    Shitja e mallrave të lira në rrugë ose në tregje

Sipas informacioeve te publikuara nga sektori shqiptar i UNICEF-it ne faqen e vete te internetit, rreth 8.000 femije punojne ne rruge gjate orarit te shkolles.

Sipas bashkëbiseduesve tanë, shumica e fëmijëve që shesin mallra në rrugë ose në tregje e bëjnë këtë gjë jashtë mësimit. Ata shkojnë në shkollë pjesën tjetër të kohës, por mund të merret me mend lehtësisht se sa lodhen kur shkojnë në klasë, pas shumë orë pune, paradite, nëpë rrugët e qytetit.

Meqë  koha në dispozicion për studimin tonë ishte e shkurtër, ne nuk mundëm  të intervistojmë veçse dhjetë fëmijë që shesin në rrugë. Të gjithë konfirmuan se shkonin në shkollë pjesën tjetër të kohës, me përjashtim të një djali rom 14 vjeçar që mban një dyqan të vogël në pazarin e Korçës ku shet pajisje për GSM, çakmakë dhe artikuj të tjerë të vegjël. Ai na shpjegon ecurinë e tij: « Unë e kam lënë shkollën pesë vjet më parë, sepse edhe po të kisha rezultate të mira, nuk doja të shkoja, ngaqë s’kisha miq aty. U sorollata ca kohë pa bërë gjë, pastaj një i njohur i familjes më pyeti nëse mund ta ndihmoja për të shitur mallra në pazar. Ai vetë ka një djalë 11 vjeç që shkon në shkollë. Unë fitoj 3 dollarë në ditë, dhe ia jap të gjitha paratë familjes. Unë punoj shtatë ditët e javës, nga ora 6. 30 deri në orën 15.00. Kam ndër mend të shkoj të punoj në Greqi, aty kam vëllain e gjetur. Problemi i vetëm është se si të gjej mënyrën për të shkuar atje. Më pas do të mund t’i dërgoj para familjes.»     

C)    Prodhimi i këpucëve dhe konfeksioneve.

Tekstili dhe këpucët përfaqësonin 2/3 e të ardhurave të eksportit të Shqipërisë në vitin 2002. Ky sektor ka marrë formën aktuale, pas rënies së diktaturës, pjesërisht në sajë të kontributit të investitorëve të huaj (ndërmarrjet që ekzistonin para 1991 zakonisht  janë mbyllur, sepse nuk ishin konkuruese). Shumë ndërmarrje të këtij sektori janë degë të firmave me qendër në vendet e Bashkimit Evropian, dhe vecanërisht në Itali. Shumica e tyre marrin lëndën e parë të importuar nga jashtë dhe e transformojnë në veshje ose këpucë, një përqindje e mirë e të cilave ose dhe të gjitha eksportohen.

Ky sektor  përqëndrohet gjatë bregdetit të Shqipërisë, pikërisht në portet e Durrësit dhe të Vlorës si dhe në qytetet e mëdha si Tirana e Shkodra. Aktualisht ai punëson afërsisht 40.000 vetë. Pagat ndryshojnë në varësi të prodhimit, që zakonisht organizohet në punë zinxhir.  Në këtë sektor, pagat më të ulta janë afërsisht 100 Euro në muaj, ndërsa pagat më të larta nuk i kalojnë 200 Euro në muaj (me përjashtim të punonjësve shumë të kualifikuar).

Sindikatat shpesh dëbohen në uzinat e këtij sektori. Federata sindikale e këtij sektori, anëtare e KSSH deklaron se numëron 5000 anëtarë nga 40.000 punëtorë të këtij sektori, edhe ajo që është anëtare e BSPSH deklaron se ka gjithashtu 5000 anëtarë. Sindikatat përpiqen zakonisht të vendosin një marrëdhënie mirëbesimi me punëdhënësin para se të fillojnë të organizojnë punëtorët e tij sepse, në shumë raste, punëtorët që interesohen për lëvizjen sindikale pushohen nga puna kur punëdhënësi i tyre e merr vesh këtë gjë. Në raste të tjera, punëdhënësit përhapin informacione të gabuara te punëtorët e tyre përsa u përket sindikatave, duke afirmuar se sindikalizimi sjell humbjen e vendeve të punës.

 

1) Puna e fëmijëve brenda ndërtesës së ndërmarrjes

Si në konfesione, edhe në montimin e këpucëve, uzinat punësojnë fëmijë më të vegjël se 18 vjeç e ndonjëherë më të vegjël se 16 vjeç. Sipas shumicës së bashkëbiseduesve tanë, janë prindrit e këtyre fëmijëve, si dhe vetë fëmijët që, të shtyrë nga varfëria, këmbëngulin për t’u punësuar në uzina. Ata (ose më mirë ato) shkojnë deri aty sa falsifikojnë dokumentat që të vërtetojnë se janë 18 vjeç dhe kështu të punësohen pa problem

Uzina e Prodhimit të Këpucëve Bertonni është më e madhja në qytetin e Shkodrës, me 850 punëtorë. Këpucët e saj prodhohen për emra shumë të njohur: Klondike, Sergio, Woodstone, Landrover, etj. Klientët e saj janë kryesisht italianë. Shumica e fuqisë punëtore janë femra. Drejtori i kësa ndërmarrjeje, Paulin Radovani, është përballur me problemin e falsifikimit të dokumentave.  « Unë nuk jam i interesuar të punësoj punëtore më të vogla se 18 vjeç, shpjegon ai: ato prodhojnë më pak dhe unë rrezikoj të kem probleme me inspektoratin e punës,  por, disa gra të punësuara tek unë  më luten të punësoj edhe vajzat e tyre, edhe kur ato janë minorene. Ato thonë se nuk duan t’i lënë vajzat e tyre vetëm në shtëpi, sepse është shumë e rrezikshme ose se familjet e tyre janë aq të varfëra, saqë kanë nevojë patjetër për punën e vajzave të tyre.Unë iu përgjigjem se është e pamundur, por disa javë më vonë ato vijnë me dokumente identiteti që tregojnë se vajza është 18 vjeç ose më tepër. Pra unë mendoj se ka vajza 16-17 vjeç e ndoshta edhe më të vogla në personelin tim. Është kaq e lehtë të falsifikosh dokumentet këtu ! »      

Drejtori i Bertonnit deklaron se dëshiron të hyjë në bisedime me organizatat sindikale. Ai thotë se dëshiron t’u japë rroga sa më të mira punëtorëve të tij, por çmimet që i janë imponuar nga blerësit nuk i japin shumë dorë:  “Unë e di se punëtorët e mi nuk janë të kënaqur nga rrogat që u jap …por edhe unë nga ana ime, nuk jam i kënaqur me çmimet që më paguajnë blerësit. Ata më japin lëndën e parë, pastaj më paguajnë 1,9 ose 2  euro për  çdo palë këpucësh të montuara. Për të njëjtën palë këpucësh në Rumani çmimi është 4,6 euro. Si mund t’i paguaj më mirë punëtorët e mi me çmime kaq të ulta? Unë duhet të mbuloj të gjitha shpenzimet, përfshirë këtu edhe gjeneratorët elektrikë, sepse ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike në Shkodër janë të shpeshta”

Në këtë gjendje paradoksale ku blerësit e mëdhenj botërorë mund t’ua imponojnë çmimet furnizuesve të tyre, është e qartë që për punëdhënësin në një vend si Shqipëria nuk është e lehtë t’u japë punëtorëve të tij një pagë për të qenë, që ai të mos detyrohej të falsifikonte dokumentat e fëmijëve për t’i futur në punë edhe ata.  

Ndonjëherë, megjithatë, shfrytëzimi i punëtorëve e kapërcen çështjen e pagesës. Kështu Gëzim Kalaja, President i BSPSH, raporton se ka takuar një delegacion me gjashtë punëtore të ndërmarrjes së prodhimit të këpucëve Filanto(uzina e Durrësit) në fillim të shtatorit. Dy nga ato nuk i kishin mbushur 18 vjetët:  « Ato më shpjeguan se një numër i madh punonjësish punonin pa kontratë, pra pa sigurim, pa paguar kuatizacionet e sigurimeve shoqërore. Ato pohojnë  se  nuk janë paguar veçse për tetë orë punë kur në fakt  kanë bërë orë suplementare dhe se ndonjëherë ato bëjnë 14 orë punë në ditë.  Ato ankohen për ngacmim seksual nga ana e një kuadri të huaj. Ato thonë se shumë vajza 16 dhe 17 vjeç janë punësuar nga Filanto, se disa prej tyre madje janë 15 vjeç dhe se, kur inspektoriati i punës vjen në uzinë, një grua menaxhere i lajmëron përpara dhe u thotë të fshihen në një depo gjatë kohës që bëhet vizita. Në Filanto nuk ka ende sindikatë.

Akuzat e këtyre punëtoreve të reja duheshin verifikuar, sigurisht, para se të afirmojmë me saktësi se janë të vërteta, por të gjithë sindikalistët që kemi takuar  dëshmojnë për faktin se kjo ndërmarrje ka praktika tepër antisindikale. Sindikatat kanë denoncuar gjithashtu probleme të rënda në përdorimin e produkteve kimike përsa i përket Filantos, veçanërisht në uzinën e saj të Tiranës.       

2) Puna e fëmijëve në shtëpi

Në sektorin e këpucëve, puna në shtëpi ekziston për veprimtaritë më të thjeshta, si  qepja me dorë e pjesëve të ndryshme të lëndës (lëkurë…) për t’i dhënë formë këpucës, ose qepja me dorë e disa garniturave. Etapat më të ndërlikuara si ngjitja e shollës, duhet të bëhet në uzinë me pajisje të përshtatshme. Asnjë studim i thelluar në të gjithë Shqipërinë nuk lejon të përcaktosh numrin e ndërmarrjeve që praktikojnë punën në shtëpi. Një pjesë e bashkëbiseduesve tanë mendojnë se ky numër është në ulje, por nuk mund të japin informacione të sakta.   

Puna në shtëpi nënkupton mundësinë për të futur në punë fëmijët, për më tepër që janë familjet më të varfëra që praktikojnë këtë lloj aktiviteti. Në Shkodër, për shembull, familjet  e njerëzve që punojnë në shtëpi për ndërmarrjen Bertonni përshkruajnë kushtet shumë të rënda të shfrytëzimit (ndërkohë që padroni Bertonni pohon se nuk e praktikon punën në shtëpi): « Vajza ime, Aurora, punon te Bertonni gjithë ditën për një rrogë afërsisht prej 100 euro në muaj, shpjegon një zonjë nga Shkodra. Ajo punon nga ora 6.30 deri në 15.00, me një pushim 30 min. Me pesë fëmijë në ngarkim, nuk është e mundur të mbijetoshë me këtë pagë. Ajo përpiqet të marrë nga Bertonni pjesë këpucësh që të mund t’i qepë me dorë në shtëpi, pas ditës së punës. Ajo paguhet nga 1,5 -2 dollarë për njëzet palë këpucë të qepura. Është shumë pak, por problemi më i madh është afati kohor për të mbaruar këtë punë: shpesh, ajo ka vetëm 24 ose 48 orë kohë në dispozicion. E gjithë familja e ndihmon që të mund të respektojë afatin, duke përfshirë edhe vajzën e saj 8 vjeçare. Bertonni nuk merr aq komanda  nga klientët sa të mund të na japë këpucë çdo ditë. Ne marrim këpucë  zakonisht një herë në javë. Unë e di që ne nuk paguhemi në mënyrë të drejtë për punën tonë, por nuk kemi zgjedhje tjetër. »

Një fqinjë e kësaj punëtoreje të Bertonnit dëshmon: « Ndonjëherë, ajo punon deri në mes të natës mbi këpucë, pasi ka punuar edhe tërë ditën në uzinë, por e kupton vetëm aty rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit se megjithë përpjëkjet dhe ndihmën e prindërve dhe fëmijëve të saj, nuk do të arrijë t’i mbarojë këpucët në kohë. Atëherë ajo vjen dhe na zgjon, ne fqinjat e saj dhe ne e ndihmojmë, sepse midis nesh ekziston një solidaritet i madh. Në qoftë se afati 24 orësh nuk respektohet, përgjegjësi i Bertonnit  të paguan vetëm për 10 palë këpucë, edhe sikur ne të kemi mbaruar 19 palë. Ka edhe më keq: në qoftë se nuk respektoni afatin një herë, nuk merrni më këpucë për të qepur në shtëpi për një kohë të gjatë. Por, ne kemi nevojë se duam të mbajmë familjet tona. Prandaj kërkojmë ndihmën e fëmijëve ».

Fëmijët e familjeve të punëtorëve që punojnë në shtëpi, të cilët i kemi takuar, shkojnë të gjithë në shkollë, por ndodh që mungojnë disa ditë kur duhet të ndihmojnë prindërit për të qepur këpucë në shtëpi. Në qoftë se nuk tregojmë kujdes këto pak ditë mungesat mund të përsëriten dhe të çojnë në humbjen e vitit shkollor, ose në braktisjen e shkollës për një kohë të gjatë. «Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve, shpjegon Aurora. Megjithatë shumë fëmijë të lagjes sonë mungojnë rregullisht për të ndihmuar prindërit që qepin këpucë në shtëpi. Ne nuk  kemi rrugë tjetër, në mos po na besoni, ne do të fluturonim nga gëzimi po të qe se fëmijët tanë do të kishin të gjitha mundësitë për të ndjekur studimet »

Do të ishte e lehtë ta qortonim dhe ta fajësonim Bertonnin për shfrytëzimin e punëtorëve, por a nuk do të ishte më e udhës t’i kërkonim përgjegjësit për këtë gjendje mesjetare, nga pala e blerësve të mëdhenj (italianë ose të tjerë) që u imponojnë ndërmarrjeve shqiptare çmime qesharake si 1,9 Euro për  një palë këpucë, që do të shiten të paktën 40-50 Euro në dyqanet që ndodhen pak orë larg prej aty, në anën tjetër të Adriatikut ?

Një hetim më i gjerë në uzinat e specializuara për këpucë dhe konfeksione, vizitat e shpeshta në shtëpitë e punëtorëve janë të domosdoshme, në qoftë se duam të krijojmë një ide të saktë mbi përhapjen e punës së fëmijëve në këtë sektor të ekonomisë shqiptare.

 

D)    Larja e makinave

Larja e makinave është një aktivitet ku shikojmë më shumë të rinj nën moshën 18 vjeç. Shumë lavazhe luhaten midis ekonomisë informale dhe aktivitetit të rregjistruar zyrtarisht; ata s’punësojnë më shumë se një ose dy persona. Duke qenë kaq të vogla ato qëndrojnë larg vëmendjes së inspektorëve të punës, të cilët, përgjithësisht, përqëndrohen në ndërmarrje të mëdha. Në Korçë ne takuam shumë fëmijë që nuk shkojnë fare në shkollë dhe punojnë me kohë të plotë në këtë sektor. « Një automobilist paguan 3 dollarë për të larë makinën e tij, unë marr 20% të shumës, deklaron Leonardi, një adoleshent rom 16 vjeç. Unë fitoj afërsisht 5 dollarë në ditë duke punuar nga ora 9.00-19.00, të gjitha këto para ia jap familjes (prindërit e mi nuk kanë punë fikse, ata shesin gjëra të vogla nëpër rrugë). Unë kam dy vëllezër më të vegjël që shkojnë në shkollë. Do të doja të vazhdoja shkollën, por kam mundur ta ndjek vetëm për katër vjet, në kuadrin e një projekti për nxënës me prapambetje shkollore të ngritur nga një Shoqate. Pas kësaj nuk desha të  shkoja  në shkollë publike, sepse fëmijët e klasës sime janë shumë më të vegjël se unë . Pastaj, familja ime ka nevojë për rrogën time që të mbajë frymën gjallë ». Marengleni, vëllai i madh i Leonardit, punon në një tjetër lavazh të Korçës. Aktualisht 19 vjeç, ai e ka lënë shkollën që në moshën 10 vjeç.  « Rroga e Leonardit dhe e imja përbëjnë pothuaj të vetmen të ardhur të familjes sonë. Unë isha nxënës i mirë në shkollë, por nuk kisha shokë, nxënësit e tjerë më ngacmonin. Pastaj, edhe problemet ekonomike më shtynë ta lija shkollën ». 

Leonardi dhe  Maksimi e lanë shkollën pasi kishin bërë disa vjet, por një kushëri i tyre nuk ka qenë kurrë në shkollë.Sot, ai është  16 vjeç, dhe  punon si larës makinash që nga mosha 6 vjeçare. « Unë nuk kam shkuar kurrë në shkollë, sepse për prindërit e mi ishte shume e kushtueshme për të më pajisur me libra, fletore e rroba etj,  për të shkuar në shkollë. Ne jemi 10 vetë në familje që banojmë në një dhomë dhe unë jam i vetmi që kam një rrogë të qëndrueshme. Ndonjëherë më vjen shumë turp që jam analfabet. Atëherë, ulem marr një gazetë dhe bëj sikur lexoj që të mos më qeshin bota ».

 

E)     Kontrolli i mbeturinave në rrugë ose në kazanë plehrash

Në qyetet e mëdha të Shqipërisë, fëmijët vetëm ose me prindërit e tyre kontrollojnë mbeturinat në kazanët e qytetit për të gjetur gjëra që pastaj mund t’i shesin. Kjo është një nga punët më poshtëruese që ekzistojnë, dhe shpesh janë romët që e bëjnë, të shtyrë nga një varfëri e skajshme

Mjafton një ndhmë e vogël nga jashtë që t’i bindë prindërit t’i heqin fëmijët e tyre nga kjo punë dhe t’i çojnë në shkollë. Kështu ndodhi në Korçë, ku Shoqata  « Ndihmë për Fëmjët » (NPF), e mbështetur nga programi IPEC i ILO arriti të bindë shumë familje rome të çojnë në shkollë fëmijët e tyre. (shih shpjegimin mbi këtë projekt në faqen 4).  Ndihma materiale që Shoqata dha në formë veshjesh ose ushqimesh u lejoi disa familjeve të hiqnin fëmijët nga puna të paktën për periudhën e shkollës.

Maksimi, 38 vjeç, baba i dy djemve 11 dhe 12 vjeç, është një  nga prindërit rom që ka vendosur t’u japë një mundësi fëmijëve të tij për një të ardhme më të mirë, në sajë të ndërhyrjes së NPF. Ai dëshmon : Çdo ditë, unë nisem te kazanët e plehrave në orën 5 të mëngjesit dhe rri deri në orën 4 të pasdites, për të  mbledhur kanaçe. Unë marr 1 dollar për kg  dhe në ditët me fat mund të mbledh 2 kg. Gjithmonë kam dashur që fëmijët e mi të shkojnë në shkollë, që, kur të rriten,të mos jenë si unë që mezi shkruaj e lexoj. Unë bëra gabim që  lashë shkollën në klasën e dytë, kur isha akoma fëmijë, sepse kisha një frekuentim të keq. Puna është se unë nuk  kisha para t’u bleja rroba fëmijëve për t’i çuar në shkollë. Tani, ata mund të shkojnë në shkollë, dhe vijnë me mua te kazanët vetëm gjatë pushimeve të shkollës, me përjashtim të ditëve kur NPF organizon aktivitete zbavitëse për ta si mësimet e cirkut këtë verë”.

Megjithatë, Maksimi dhe fëmijët e tij nuk është se shpëtuan nga problemet e tyre: përmirësimi i gjendjes së tyre ekonomike varet nga vazhdimësia e ndihmës së NPF dhe nga ana tjetër, banesa e tyre është  në kushte shumë të këqija. Dhoma ku ata jetojnë nuk ka ngrohje dhe është vendosur në një depo të vjetër, banja është e përbashkët me 4 familje të tjera po aq të varfra. Hania, 34 vjeçare, është një nga fqinjët e Maksimit. Ajo jeton me burrin e saj dhe djalin e adaptuar në një dhomë tjetër. Ajo di të qëndisë, por nuk gjen treg për shitje në këtë fushë, sepse një burrë që ia blinte qëndisjet për t’i shitur më pas në Greqi, nuk vjen më tek ajo (ai e paguante 10 dollarë për tri ditë punë). Ajo bredh rrugëve për të mbledhur kanaçe. « Kam shumë vjet që e bëj këtë punë bashkë me djalin tim që është 8 vjeç, sepse nuk e lija dot vetëm në shtëpi. Tani ai mund të shkojë në shkollë falë ndihmës së NPF, pra tani nuk jam e detyruar ta marr me vete. Kjo është një punë e vështirë dhe njerëzit që e bëjnë sa vjen dhe shtohen. Pra, ka konkurencë midis mbledhësve dhe unë duhet të nisem në mes të natës që të mund të gjej kanaçe, sepse po të mbërrij aty në orën 5 të mëngjesit, të tjerët do të kenë arritur aty para meje dhe nuk mbetet më pothuaj asgjë». 

 

F)     Fenomeni i lypjes

Fëmijët detyrohen nga të afërmit të lypin në rrugët e qyteteve të mëdha, vetëm ose të shoqëruar nga të rriturit. Në qendër të Tiranës, për shembull, fëmijë ndonjëherë 3 ose 4 vjeç lihen vetëm në trotuar për të ngjallur mëshirën e kalimtarëve. Të rriturit i mbikqyrin nga larg dhe vijnë rregullisht të mbledhin paratë e lëna pranë fëmijëve. Të rriturit shpesh janë të afërmit ose prindërit e fëmijëve, por një pjesë e fëmijëve « jepen me qera »  nga prindërit  personave që njohin familjen dhe që organizojnë rrjete lypsash. Shumica e këtyre fëmijëve që  janë të detyruar të lypin janë me origjinë rome. Sipas Bashkisë së Tiranës, ata janë të paktën 150 të identifikuar nga punonjësit socialë në disa lagje të kryeqytetit, por ata mund të jenë me qindra në Tiranë, si dhe në gjithë Shqipërinë. Shumica e tyre më pak se 10 vjeç nuk kanë qenë kurrë në shkollë.  

Deri tani nuk është bërë ndonjë gjë e madhe për të ndihmuar këta fëmijë. Policët që konstatojnë këtë gjendje s’mund të bëjnë gjë sepse për momentin nuk dinë ku mund raportojnë për  këta fëmijë. Brenda Bashkisë së Tiranës është ngritur një njësi mbrojtëse e të drejtave të fëmijës e cila ka si projekt krijimin e një qendre ku mund të shkojnë fëmijët që lypin në qytet. Aty ata mund të marrin një trajtim mjeksor, një orientim shkollor, por nuk është fjala për një qendër pritëse afatgjatë. Objektivi i bashkisë do të ishte më tepër të bënte të përgjegjshëm prindërit e tyre, t’u kujtonte  se e kanë për detyrë të shkollojnë fëmijët, të mos i detyrojnë të lypin, etj. Fëmijët do të ktheheshin kështu në familjet e tyre pas pak kohësh, dhe vetëm në raste ekstreme (recidiv, mungesë e plotë përgjegjësie nga prindërit,…) fëmijët do t’u besoheshin për një kohë të gjatë insitucioneve të specializuara (jetimoreve). 

Në  Shkodër, Shoqata « Every Child », partnere e Programit  IPEC, ka mundur tashmë të bindë prindërit që lypin që të mos i marrin fëmijët me vete. Në sajë të një ndihme të vogël ushqimore dhe sensibilizimit për rëndësinë e shkollës (shih përshkrimin e projektit IPEC në faqen 2), një nënë e katër fëmijëve me origjinë rome, ka vendosur që dy fëmijët e saj më të vegjël (10 dhe 12 vjeç) të mos lypin më me të në rrugë, por të ndjekin shkollën. Përsa u përket dy  vajzave të rritura, 16 dhe 18 vjeç , është shumë vonë për të ndjekur shkollën, ndaj familja parapëlqen që ato të  mos punojnë jashtë shtëpisë që të mund të ruajnë emrin e mirë dhe të martohen. 

 

G)    Ndërtimi

Ndërtimi është një sektor shumë i zhvilluar aktualisht në Shqipëri. Pothuaj të gjithë bashkëbiseduesit tanë kanë theksuar se puna e fëmijëve është e rrallë, një përjashtim në këtë sektor, sepse punëdhënësit parapëlqejnë njërëz të rritur, të fortë që janë të shumtë në tregun e punës. Sherif Bulku, President i Sindikatës së Punëtorëve të Ndërtimit (anëtare e BSPSH), mendon se jo më pak se 20% e punëtorëve të ndërtimit janë më pak se 16 vjeç. « Një numër i madh punëtorësh të ndërtimit janë punësuar pa kontratë, shpjegon ai,  kjo është arsyeja  përse minorenët mund të merren në punë. Punëdhënësit i paguajnë më pak. Inspektorët e punës nuk janë efikasë: nganjëherë, një ndërtesë e tërë ngrihet  vetëm me disa punëtorë të punësuar nga shoqëria e ndërtimit, sipas rregullave, pjesa tjetër punon  në të zezë. Inspektorët e punës e kuptojnë këtë, por nuk veprojnë ».  

Homologu i tij i KSSH, Riza Bengasi, president i  Federatës Sindikale të Ndërtimit, Drurit dhe Shërbimeve Publike të Shqipërisë, mendon ndryshe, përsa i përket punës së fëmijëve në këtë sektor: sipas tij, të vetmit fëmijë që punojnë në ndërtim në Shqipëri janë ata që ndihmojnë prindërit për të ndërtuar shtëpinë e tyre, nuk ka pothuaj asnjë rast të rregjistruar të punës së fëmijëve në ndërmarrjet e ndërtimit

Aksidentet e raportuara kohë pas kohe në mediat shqiptare tregojnë gjithsesi që ka fëmijë të punësuar në ndërtim, edhe pse është e vështirë të krijosh një ide të saktë për përmasat e këtij fenomeni, pa bërë një hetim më të thelluar.  Kështu, gazetat shqiptare në fillim të shtatorit 2004 raportojnë vdekjen e një fëmije 14 vjeçar që punonte si bojaxhi në një kantier ndërtimi në rrethin e Cërrikut (jo larg Elbasanit). Ai ra nga një skelë. Kur ndodhin raste tragjikë si ky, gazetat kujtojnë aksidente të tjera vdekjeprurse për fëmijët që punojnë në ndërtim; ato kujtojnë se deri në ç’masë këta fëmijë shfrytëzohen duke u paguar më pak se të rriturit që punojnë në të njëjtin kantier. 

 

H)    Minierat

Sipas Gëzim Kalasë, Presidenti BSPSH (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë) dhe dikur vetë punëtor në minierë, të rinj më pak se 18 vjeç punësohen  në miniera të ndryshme të vendit pa kontratë pune, pa pajisjet e duhura mbrojtëse. Gani Lami, President i degës së Tiranës (BPSSH), ish minator, konfirmon: « Janë adoleshentë 16 ose 17 vjeç. I gjejmë në minierat e kromit. Kështu ndodh midis të tjerash  në Batër, Bulqizë, Borje e Klos. Ata nuk fitojnë më shumë se 55 Euro në muaj».   

Do të duheshin hetime të mëtejshme për të konfirmuar praninë e punëtorëve më pak se 18 vjeç në sektorin e minierave, si dhe përhapjen e këtij fenomeni.

 

I)       Pastrimi i xhamave të makinave në kryqëzimet e qyteteve të mëdha

Është pikërisht rasti i Tiranës. Sipas disa prej bashkëbiseduesve tanë, ka rrjete që organizojnë këtë aktivitet, ku  përfshihen prindërit e fëmijëve që punojnë.

 

J)      Aktivitete të tjera të ekonomisë informale.

Një pjesë e këtyre punëve të përmendura më lart bëjnë pjesë në ekonominë informale dhe janë ato që janë përmendur më shumë nga bashkëbiseduesit tanë.  Të gjitha fushat e ekonomisë informale kanë të bëjnë me  punën e fëmijëve. Ne mund të përmendim këtu punët e vogla si shërbyes ose pjatalarës në disa kafene dhe restorante; punët si ngarkim shkarkim kamionash ose mbushja e magazinave; prodhimi i sendeve artizanale, ndihmës mekanik në garazhe të vegjël; lyerje këpucësh në rrugë, shitje biletash e abonesh; tansportim i bagazheve në aeroport etj.

Ne takuam Ahmedin, një djalë rom 14 vjeç banues në Shkodër, që s’kishte shkuar kurrë në shkollë para se familja e tij të ndihmohej nga Shoqata  « Every Child », partnere e  Programit IPEC. Ai ndihmon të atin kur ky gjen punë në ngarkim shkarkim kamionash  për një ndërmarrje të vogël në Shkodër.« Dhjetë fëmijë punojnë kohë pas kohe në këtë ndërmarrje, shpjegon ai. Unë kam filluar ta ndihmoj babain që kur isha 10 vjeç. Është punë e vështirë dhe disi e rrezikshme sepse duhet të punosh shpejt, nganjëherë arkat më  zënë  gishtat kur ngarkoj dhe shkarkoj makinat. Unë marr 4-8 euro në ditë për këtë punë. Shkoj në ndërmarrje në orën 5 deri në orën njëmbëdhjetë ose në mesditë, pastaj çlodhem pak dhe shkoj në kursin e organzuar nga « Every Child » nga ora  15.00 deri në orën 17.00 ».

Babai i Ahmedit, 48 vjeç, thotë se me gruan dhe katër fëmijët në shtëpi (dy të tjerë i ka nisur në Tiranë), nuk mund të paguante shkollimin e fëmijëve, para se të merrte ndihmën ushqimore nga  « Every Child ». « Ne kemi me të vërtetë nevojë për paratë që fiton Ahmedi për të siguruar bukën e gojës, shpjegon ai. Jam i gëzuar që tani ai mund të shkojë pak në shkollë, por, pa ndihmën ushqimore, kjo s’do të ishte e mundur sepse duhen blerë pajisje, veshje për të çuar një fëmijë në shkollë. Unë jam i guximshëm, jam gati të bëj edhe  punët më të përbuzura po të jetë nevoja, por nuk ka punë  të përhershme për njerëz si unë, që i përkasin komunitetit rom, ne jemi të diskriminuar. Unë i përdor të gjitha të ardhuart e mia për të blerë ushqime dhe ilaçet për time bijë, që është 18 vjeç dhe vuan nga probleme të qarkullimit të gjakut. Shpresoj se fëmijët e mi do të kenë më shumë fat në jetë se sa unë. Ahmedi të paktën do të dijë të lexojë e të shkruajë, dhe kjo do ta ndihmojë padyshim».  

 

K) Trafiqet

Sigurisht nuk bëhet fjalë për një aktivitet të mirëfilltë, por përveç dhjetra mijëra fëmijëve shqiptarë që punojnë, duhet të kujtojmë se mijëra të tjerë janë viktima të trafikut drejt vendeve të huaja (nga 500 – 15.000 sipas burimeve të ndryshme). Greqia dhe Italia kanë qenë etapat e para të këtyre trafiqeve, por disa fëmijë janë çuar, më pas, në vende të tjera të Evropës perëndimore. Rrjetet që organizojnë këto trafiqe shpesh i detyrojnë fëmijët të lypin, të prostituojnë ose të shesin nëpër rrugë. Në Shqipëri janë bërë të ditur raste të zhdukjes së fëmijëve, si dhe janë bërë të njohura  publikisht afera të pista lidhur me trafikun  organeve të fëmijëve. 

Meqë ky raport ka për objekt gjendjen e fëmijëve që punojnë në Shqipëri, ne nuk do të hyjmë në hollësira që lidhen me këto trafiqe.  Botimet e fundit të Programit  IPEC të ILO,  të  « Terre des hommes » si dhe  CHRCA (Qendra Shqiptare per Mbrojtjen e te Drejtave te Femijeve) kanë studjuar hollësisht trafiqet e fëmijëve në Shqipëri drejt vendeve të tjera të Evropës.Duket se përmasat e trafiqeve janë ulur pak këto kohët e fundit, pjesërisht në sajë të veprimtarisë së autoriteteve shqiptare (veçanërisht për të forcuar legjislacionin dhe dënimet kundër trafikantëve), bashkëpunimit midis policisë shqiptare dhe asaj italiane (për shembull në luftën kundër « gomoneve » që shkaktojnë shumë viktima  të trafikut në Itali), veprimeve parandaluese të ndërmarra nga  OJQ-tw (disa prej të cilave mbështeten nga IPEC) në zonat më të rrezikshme dhe në sajë  ndërgjegjësimit të një pjese të popullsisë për rrezikun që vjen nga nisjet jashtë shtetit drejt të panjohurës. Etja për fitim (një fëmijë shqiptar që lyp në rrugët e Athinës merr mesatarisht 30 Euro në ditë) vazhdon t’i shtyjë disa familje që t’i lënë fëmijët në duart e trafikantëve, ose fëmijë të familjeve me probleme të provojnë fatin jashtë shtetit.  

 

SHKAQET KRYESORE QË SHPJEGOJNË PUNËN E FËMIJËVE NË SHQIPËRI

Faktorë të ndryshëm shoqërorë e ekonomikë pleksen për të shpjeguar ekzistencën e punës së fëmijëve në Shqipëri. Me « shoqërorë-ekonomik », kuptojmë shpesh aspektet ekonomike që paraqiten si shkaqe kryesore, por shkaqet me natyrë « shoqërore » janë po aq të rëndësishme: shumë familje shqiptare shumë të varfëra luftojnë me këmbëngulje që të mund të çojnë fëmijët në shkollë, ndërsa të tjera, ndonjëherë më pak të varfra, nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Puna e një fëmije, ndërprerja e shkollës, ose fakti që ai s’ka shkuar kurrë në shkollë, zakonisht nuk varet nga një faktor i vetëm që do të përmendim në listën e mëposhtme, por nga kombinimi i shumë prej tyre, prandaj ne nuk jemi përpjekur t’i klasifikojmë sipas rëndësisë.

 

A) Gjendja ekonomike

Papunësia

Për sindikatat shqiptare, mungesa e punës është faktori më i rëndësishëm që shpjegon varfërinë e familjeve, pra dhe shfrytëzimin e punës së fëmijëve. Statistikat zyrtare flasin për  një papunësi prej15%, por në disa qytete sindikatat bëjnë të ditur se ajo arrin  në 35% ose edhe më shumë. Sindikatat shprehin keqardhjen për faktin se 65 % e të papunëve janë të papunë afatgjatë, ose  qysh prej një viti. Asistenca sociale për papunësi, rreth 30 Euro në muaj, nuk i mjafton aspak një familjeje të mbulojë nevojat themelore. Le të kujtojmë këtu se buxheti i nevojshëm për të pajisur një fëmijë që shkon në shkollë është rreth 30 Euro në vit

Niveli i pagave

Niveli i pagave në Shqipëri është më i ulti në Evropë, ndërkohë që kostoja e jetesës s’rresht së rrituri këto vitet e fundit. «Aktualisht në Shqipëri, paga minimale është 80 Euro në muaj, paga mesatare 160 Euro në muaj, shpjegon  Kastriot Muco. Por, çmimet e mallrave janë rritur, ata nuk janë  shumë më të ulët se në Evropën perëndimore. Sipas një studimi të bërë mbi një bazë tripalëshe, para dy vjetësh, një familje me katër vetë do të kishte nevojë për 300 Euro në muaj që të jetojë si duhet.  Një pjesë e madhe e popullsisë aktive shqiptare është poshtë këtij niveli. Një rivlerësim i pagave do të çonte pa diskutim në një përmirësim të gjendjes së fëmijëve në Shqipëri ».

Shpërnguljet e brendshme

Pamundësia për të fituar bukën e gojës në zonat e thella të Shqipërisë i ka shtyrë dhe vazhdon t’i shtyjë ende mijëra familje të zhvendosen drejt qendrave urbane. Këto shpërngulje të brendshme, shumë të kufizuara gjatë periudhës diktatoriale, kanë nxitur krijimin e periferive të mëdha rreth qyteteve kryesore, periferi ku ndërtimet shpesh bëhen në mënyrë anarkike, pa organizim të studiuar e planifikuar. Numri i vendeve të lira të punës në zonat urbane mbetet shumë më i ulët se ai i njerëzve të shpërngulur.  Për të plotësuar nevojat bazë ushqimore për familjen, shumë prindër detyrohen të fusin në punë fëmijët. Një nga punët e lehta që fëmijët e familjeve të ardhura, bëjnë më shpesh, është shitja e gjërave të vogla (cigare, fruta, çamçakëz, pajisje për celularë, etj) në qendrat e qyteteve ku janë vendosur  

Rasti i Rifatit, 36 vjeçar, baba i një familjeje me 5 fëmijë, e vendosur në Kamëz (në veri të Tiranës) që prej gjashtë vjetësh, tregon qartë për vështirësitë e familjeve të shpërngulura. Tre nga fëmijët e tij janë më të vegjël se 6 vjeç dhe ende nuk shkojnë në shkollë, i madhi është 10 vjeç dhe shkon në shkollë, por i dyti është 7 vjeç dhe Rifati mendohet se si do t’ia bëjë  për ta çuar në shkollë. « Nxënësit marrin falas librat shkollorë, por na duhen gjithsesi 30 Euro për çdo fëmijë që çojmë në shkollë, për t’iu blerë pajisjet e shkollës dhe rrobat. Është shumë e vështirë për një familje si e jona : ne kemi ikur nga fshati Lukan, në veri të Shqipërisë, për të qenë afër Tiranës, që të mund të jetonim më mirë, por këtu mezi gjen punë.Unë jam punëtor ndërtimi, por gjej punë me hope. Paguhem 8 ose 10 Euro në ditë maksimumi, por nuk gjej punë veçse rreth 10 ditë në muaj. Marr një asistencë si i  papunë prej 20 Euro në muaj. Por për të jetuar si duhet me një familje me 7 vetë (5 fëmijët, gruaja dhe unë) do të duheshin 300 ose 400 Euro në muaj. Me 180 Euro në muaj, ne arrijmë të mbijetojmë, por duhen edhe para për ilaçe në dimër, sepse ne s’kemi ngrohje dhe fëmijët na sëmuren shpesh. Do të doja që të gjithë fëmijët e mi të mbaronin shkollën fillore, por nuk e di si do t’ia bëj për të paguar shpenzimet për shkollimin e tyre.  

Shpërnguljet e familjeve brenda territorit shqiptar kanë pasur gjithashtu pasoja administrative: disa familje nuk kryejnë formalitetet për t’u regjistruar në bashkitë ku do të banojnë, gjë që e ndërlikon kontrollin e respektimit të arsimit të detyruar për fëmijë. Disa familje të shpërngulura,  nga ana tjetër, kanë ruajtur një shtëpi në vendin ku kanë qenë, dhe shkojnë e vijnë sa në shtëpinë e vjetër sa në shtëpinë e re. Kështu shkollimi i fëmijëve çrregullohet nga këto ecejake.

 

B) Mangësitë ose mungesa e shkollave apo e mësuesve në zonat e largëta.

Mangësitë ose mungesa e shkollave dhe /ose mësuesve në disa zona të thella të Shqipërisë pjesërisht shkaktohet nga fenomeni i shpërnguljeve të brendshme të përshkruara më lart.  Kjo mungesë mundësish për t’u shkolluar në disa zona të thella mund të sjellë si pasojë mosfrekuentimin e shkollës edhe në zonat urbane : nëse fëmijët më të rritur se 9 ose10 vjeç nuk kanë shkuar kurrë në shkollë (ose shumë pak) para se familjet  e tyre të vendoseshin në zonat urbane, ata e ndjejnë veten shumë të mëdhenj  për të hyrë në klasë të parë apo të dytë fillore me fëmijë gjashtë ose shtatë vjeç.

 

C) Ekzistenca e disa familjeve me probleme

Familjet me një prind ose të ribëra po shtohen në Shqipëri. Divorcet, ikja jashtë shtetit e njërit prind janë disa nga shkaqet e këtij zhvillimi. Rritja e vështirësive ekonomike shkakton gjithashtu më shumë sëmundje kronike të rënda që çojnë në vdekjen e njërit prind ose në  përpjekje shumë të mëdha për ta mbajtur në jetë. Keqësimi i gjendejes ekonomike i ka shtyrë me mijëra familje shqiptare drejt dëshpërimit e nganjëherë drejt alkoolizmit. « Një tregues i këtij dëshpërimi është se  numri i vetwvrasjeve është rritur shumë këto vitet e fundit, ndërkohë që ajo ishte e rrallë në sistemin totalitar, shpjegon Kastriot Muco. Vëmë re gjithashtu se janë rritur tensionet brenda familjes e sidomos krimet midis bashkëshortëve ». Dhuna bashkëshortore është përhapur gjithashtu : Sipas të dhënave të UNICEF-it, rreth 59% e fëmijëve shqiptarë pohojnë se janë dëshmitarë të formave të dhunës në familje.

Këto mosfunksionime në familje kanë sigurisht pasoja negative te fëmijët. Familjet e shkatërruara zakonisht nuk e shohin shkollimin e fëmijëve si përparësi, edhe kur fëmija shkon në shkollë ai do të ndiqet më pak nga prindërit ose të afërmit në familjet në krizë.

 

D) Mungesa e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shkollimit në disa familje

Me sa duket nuk gjendet asnjë familje në Shqipëri që të afirmojë se shkollimi nuk vlen. Përkundrazi, është e sigurtë që për shumë familje në vështirësi, t’u sigurojnë një shkollim normal fëmijëve nuk është gjëja më e rëndësishme. Siç e kemi përmendur më lart, 25% e popullsisë shqiptare jeton me më pak se dy dollarë në ditë. Për këta të fundit, përparësi është të fitojnë aq para sa të mund të mbajnë familjen, të blejnë ilaçet në raste sëmundjesh (më të shpeshta në shtresat e popullsisë  të defavorizuara në planin ekonomik), të blejnë rroba të trasha për të mbijetuar në ato kasolle pa ngrohje gjatë dimrit, etj

Por, edhe në gjendjet ekonomike më të dëshpëruara, prindërit gjejnë mjete për t’i çuar fëmijët në shkollë, kur janë të bindur për rëndësinë e madhe të shkollimit. Këtu çalon puna për një pjesë të familjeve në vështirësi: për disa, mungesa e perspektivës së punës, për të tjera, mungesa e traditës familjare për t’i çuar fëmijët në shkollë (si psh te romët) ose një pleksje e këtyre arsyejeve dhe e të tjerave si këto, shtyjnë një pjesë të familjeve shqiptare të lënë pas dore shkollimin.  

Disa shkolla bëjnë çmos për t’i bindur prindërit për rëndësinë e shkollimit. Siç është rasti i Kamzës, një lokalitet në veri të Tiranës ku gjendet një nga shkollat fillore më të mëdha të Shqipërisë. Ajo numëron 2.600 fëmijë. Statistikat e saj tregojnë se numri i nxënësve që e braktisin shkollën gjatë viteve ka kaluar nga 80 për vitin shkollor 1999-2000 në 15 për vitin 2003-2004. Në këtë zonë ku shumica e banorëve janë të ardhur nga veriu i Shqipërisë, drejtori  i shkollës Zyber Sinani, shpjegon se bashkëpunimi i këtyre prindërve me mësuesit, drejtorinë e shkollës dhe prindërit e tjerë kanë kontribuar në pakësimin e braktisjes së shkollës: « Si drejtoria ashtu edhe komitetet e prindërve janë përpjekur t’i motivojnë mësuesit,  t’u shkojnë në shtëpi fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë. Mësuesit mund të kenë një ndikim të madh te prindërit, ata mund t’i bindin që të kuptojnë sesa i rëndësishëm është shkollimi. Një herë në muaj, ne organizojmë gjithashtu një takim me të gjithë prindërit e fëmijëve, klasë më klasë. Prindërit e nxënësve që kanë rezultate të mira në shkollë mund t’u japin përvojën  e tyre prindërve të nxënësve të dobët në mësime. Ne do të përpiqemi t’i këshillojmë sa më mirë këta prindër dhe në rast se rezultatet nuk përmirësohen, ne i nxisim mësuesit t’u shkojnë në shtëpi e të flasin me ta për të gjetur zgjidhje ». 

 

E) Zbatimi i keq i ligjeve që kanë të bëjnë me moshën minimale për punë dhe arsimi i detyruar

Sanksionet ndaj personave që punësojnë minorenë nën moshën ligjore për punë, janë të rralla.Inspektorët e punës, edhe kur marrin një informacion specifik mbi punën e fëmijëve, shpesh nuk kanë mjete për t’u përballur me problemin: të paktë në numër, të pajisur shumë keq, ata përballen me falsifikimin e dokumentave nga disa punonjës dhe nuk dinë se si t’i ndjekin punëdhënësit e ekonomisë informale, gjithmonë e më të shumtë. « Unë e di se shitësit përdorin punën e fëmijëve në treg, pranon një inspektore e punës në Shkodër, por, kur keto dyqane nuk janë të rregjistruar, si t’i ndjek ? Përveç se t’i kallëzoj në shërbimet e taksimit unë nuk kam se ç’bëj me to. Pastaj, nëse i  ndërpresim aktivitetin punëdhënësit, ç’do të ndodhë me fëmijën ? A s’do të jetë më e keqe gjendja e tij kur të mbetet pa punë ?

Siç e kemi shpjeguar më lart, shkeljet e dispozitave ligjore  që kanë të bëjnë me arsimin e detyruar nuk ndiqen aspak nga autoritetet shqiptare. Askush nuk çuditet, tashmë kur njerëzit tallen me dispozitat.  

 

F) Gjakmarrja

Krimi i kryer për gjakmarrje, që mbështetet mbi një traditë të vjetër shekullore, është i përhapur në disa krahina të Shqipërisë, kryesisht në veri dhe në veri-perëndim të vendit. Gjakmarrja lind nga një fyrje e një familjeje ndaj një tjetre, nga një krim tjetër, nga një grindje që lidhet me ndarjen e tokave, « Gjakmarrja ishte shtypur me forcë nga autoritet shqiptare gjatë diktaturës, shpjegon Kastriot Muco, Kryetar i KSSH, por ajo është rishfaqur tani me një formë  më të rëndë: nganjëherë gjakmarrja tani zbatohet edhe mbi gratë dhe fëmijët e familjeve të vëna në shënjestër, ndërsa më parë kjo ishte një praktikë e ndaluar nga ligjet që drejtojnë gjakmarrjen ».

Shumë OJQ kanë si mision pajtimin e familjeve të përfshira në gjakmarrje, por ato nuk arrijnë gjithmonë në një marrëveshje paqësore. Meqë ky fenomen ka karakter klandestin dhe ilegal, nuk do të ishte e saktë të jepnim shifra lidhur me numrin e rasteve të gjakmarrjes që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri, por është e sigurtë që qindra familje janë të prekura nga ky fenomen. Fëmijët e këtyre familjeve janë të detyruar të mos dalin nga shtëpia sepse prindërit e tyre kanë frikë se mos i vrasin. Tashmë ata nuk shkojnë më në shkollë. 

« Për të zbutur fenomenin e  ndërprejes së shkollës nga fëmijët e familjeve në gjak, sindikatat kanë bërë presion që mësuesve t’u ulen një pjesë e orëve të zakonshme nga ngarkesa e tyre që të shkojnë në familjet e prekura nga gjakmarrja dhe t’u bëjnë mësime të veçanta fëmijëve. Kështu ato luftojnë kundër rrezikut të braktisjes së shkollës që pret fëmijën në fund të periudhës së gjakmarrjes, braktisje që do ta detyrojë fëmijën  të punojë ». Megjithatë sindikatat janë të ndërgjegjshme, mendimet përsa i përket dobisë së këtyre mësimeve të bëra në shtëpi  janë të ndryshme, sepse kjo zgjidhje miraton gjakmarrjen, ndërsa përkundrazi duhet luftuar kundër këtyre gjakmarrjeve pa fund.   

Meqë në disa zona nuk ka mësues dhe ka mospërputhje mendimesh, siç kemi thënë më lart, duket se të gjithë fëmijët e kërcënuar nga gjakmarrja nuk marrin rregullisht mësim në shtëpi nga mësuesit.

 

G) Qëndrimi ndaj disa minoriteteve

Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera,  komunitetet rome nuk shihen me sy të mirë nga një pjesë e popullsisë, që i sheh romët vetëm si lypsa. Shumë fëmijë rom na kanë thënë se nuk ndihen mirë në shkollë, që rrinë në fund të klasës, lihen pas dore nga mësuesit, dhe shpesh janë objekt i talljeve dhe goditjeve të nxënësve të tjerë. Vështirësitë e mëdha ekonomike të shumë romëve i pengojnë ata përgjithësisht t’u blejnë veshje të reja fëmijëve të tyre, kjo e përforcon imazhin e tyre negativ te një pjesë e popullsisë.

Meqë koha në dispozicion për studimin tonë ishte e shkurtër, ne e kemi të vështirë të vlerësojmë se deri në ç’pikë ky qëndrim diskriminues është i përhapur në shkolla dhe cili është intensiteti i tij real. Do të ishte e nevojshme të bëheshin më shumë kërkime për t’u shprehur saktësisht për diskriminimin, por sidoqoftë problemi ekziston. Bashkëbiseduesit tanë që qëndrojnë  jashtë komunitetit rom (sindikatat, OJQ-të, mësuesit…) pohojnë se rastet e diskriminimit janë të rralla në shkollë. Një sindikalist i sektorit të arsimit mendon se për fëmijët rom është e vështirë të përqëndrohen për një gjysëm dite në shkollë. Ai thekson se ata nuk janë të motivuar, ngaqë, kur ka një vend pune të lirë edhe kur ka nivel kualifikimi të njëjtë, nuk do të meret në punë një rom.

Një tjetër kategori minorenësh që vuajnë nga diskriminimi në shkollë janë fëmijët që kanë të meta fizike. Sipas UNICEF-it në Shqipëri nga 12.000 fëmijë të tillë  94 %  nuk shkojnë në shkollë, sepse ndërtesat shkollore nuk janë përshtatur për ta.

 

H)    Zhgënjimi lidhur me kushtet e mësimdhënies

Klasat e mbipopulluara në qytete, mungesa e formimit dhe e motivimit nga  disa mësues i shkurajojnë ndonjëherë prindërit më të varfër që të sakrifikojnë për të financuar shkollimin e fëmijëve të tyre (blerja e materialeve shkollore, veshjeve « korrekte », etj).  « Gjërat kanë ndryshuar shumë  që nga koha kur unë shkoja në shkollë, shpjegon babai i 8 fëmijëve, rom që banon në Shkodër.  Klasat kanë shumë më tepër nxënës, dhe disa mësues s’janë të motivuar, ata nuk i ndihmojnë fëmijët që kanë vështirësi, sidomos po të jenë me origjinë rome. Në këto kushte, pyes veten pse t’i çoj fëmijët në shkollë. Ndoshta është më mirë të punojnë, se të mësojnë ».  

 

OPINIONI PUBLIK SHQIPTAR LIDHUR ME PUNËN E FËMIJËVE

Përmes intervistave me shumë njerëz të të gjitha kategorive, del se opinioni publik shqiptar tronditet kur puna e fëmijëve merr forma të skajshme, spektakolare (lypje, kontroll plehrash, etj) ose në rast trafiku të fëmijëve. Përkundrazi njerëzit e banalizojnë gjendjen e fëmijëve që shesin gjëra të vogla në rrugë; ajo nuk preket aspak nga gjendja e fëmjëve që lënë shkollën para se të përfundojnë arsimin e detyruar. Ata shpesh nuk e bëjnë lidhjen, për shembull, midis gjendjes së fëmijës që lë shkollën dhe rrezikut që ai  të përfshihet në format më të këqija të punës së fëmijëve ose në trafiqe

Pothuaj si kudo në botë, njerëzit e konsiderojnë punën e lehtë si pozitive për adoleshentët  gjatë periudhës së pushimeve shkollore (pozitive për formimin e tyre, vetdisiplinën, kontributin në të ardhurat e familjes,…). Megjithatë duket se një pjesë e shqiptarëve i ngatërrojnë këto aspekte pozitive me gjendjen e fëmijëve që punojnë me kohë të plotë duke e braktisur shkollën. Kështu ndodh veçanërisht në fshatra, ku gjendja në të cilat fëmija e braktis shkollën para kohe, për të ndihmuar prindërit në punët në bujqësi nuk e trondit aspak një pjesë të popullsisë.

Kjo gjendje mbizotëron në lagjet rreth ndërmarjeve të këpucëve, ku pak banorë preken realisht kur shikojnë vajza 14 ose 15 vjeç që falsifikojnë dokumentat për të hyrë në punë në këto uzina. Formimi i fëmijëve, nevoja për të kontribuar për mbijetesën e familjes u shërbejnë shumë shqiptarëve si justifikim për të mos u prekur  e  tronditur nga këto raste. Të gjithë parapëlqejnë t’i shohin fëmijët e tyre në shkollë, por për shkak të kushteve, ata kanë prirje të mbyllin sytë për punën e fëmijëve kur ajo nuk merr forma të skajshme. 

Disa bashkëbisedues theksojnë se shumë shqiptarë ende nuk janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që lidhen me ikjen jashtë shtetit, veçanërisht kur është fjala për fëmijë.  Në zonat veriore dhe veri-perëndimore sidomos, duket se martesat e vajzave në moshë shumë të re janë ende shumë të përhapura, dhe kjo çon në disa raste në një gjendje ku burri ose të afërm të tij rregullojnë një ikje jashtë shteti (Itali, Greqi, Kosovë, etj), ku vajza mund të detyrohet të prostituojë. Në këtë rast mediat shqiptare shkruajnë në faqen e parë, por mbetet ende  për të bërë më shumë punë sensibilizuese që të gjitha  familjet të njihen me  këto rreziqe .  

 

SHEMBUJ TË VEPRIMEVE QË MUND TË NDERMARRIN SINDIKATAT SHQIPTARE

Është e sigurt që përmirësimi i kushteve të jetesës (që mundësohet nga një ulje e ndjeshme e papunësisë) është një element që favorizon pakësimin e rasteve të punës së fëmjëve në Shqipëri. Sindikatat shqiptare bëjnë presion në Qeveri dhe te punëdhënësit e vendit lidhur me këtë çështje. Keqësimi i ekonomisë shqiptare,  megjithatë, nuk është i vetmi faktor përgjegjës për punën e fëmijëve. Siç e kemi treguar më lart, shumë familje të varfra shqiptare arrijnë t’i çojnë  fëmijët në shkollë sepse luftojnë me këmbëngulje për këtë gjë, ngaqë e shohin arsimimin si një prioritet. Sindikatat, si aktorë kyç në një shoqëri demokratike, mund të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të vepruar mbi faktorët ekonomikë që shpjegojnë punën e fëmijëve. Ato mund ta bëjnë këtë gjë vetëm ose në bashkëpunim me aktorë të tjerë: qeveri, autoritete vendore, OJQ, punëdhënës, organizata ndërkombëtare, etj

Megjithatë, që sindikatat shqiptare të ndërmarrin veprime në luftën kundër punës së fëmijëve, duhet që ato vetë të sensibilizohen për këtë problem. Dhe nuk ndodh kështu ende në një numër të madh syresh. Sindikatat e mësuesve të të dy konfederatave më të mëdhaja (BPSSH  dhe KSSH) duken shumë të ndërgjegjësuara për problemin dhe rëndësinë e luftës kundër punës së fëmijëve, por në sindikatat e tjera sektoriale, ndërgjegjësimi është shumë i ndryshueshëm. Jo të gjithë drejtuesit e sindikatave shqiptare janë në dijeni të përkufizimeve ndërkombëtare të punës së fëmijëve, shumë prej tyre nuk e konsiderojnë ende luftën kundër punës së fëmijëve si një nga përparësitë e tyre.    

Një drejtues sinikal shqiptar na tha në shtator se, sipas tij, « fëmijët që punojnë për të shitur mallra rrugëve janë në gjendjen tipike të vendeve të varfra, ashtu si fëmijët që punojnë në fusha me prindërit e tyre dhe nuk shkojnë në shkollë. Ky nuk është realisht një shfrytëzim i fëmijëve. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të merremi me këtë gjendje, por ky nuk është prioritet sindikal, ne  nuk kemi mjete për të vepruar në këtë nivel ».

Para se të bëjmë një listë me disa nga mundësitë e veprimit të sindikatave shqiptare në luftën kundër punës së fëmijëve, ne dëshirojmë të përmendim  një nismë të Qeverisë shqiptare dhe IPEC, me të cilën është bashkuar edhe lëvizja sindikale. Është fjala për Komitetin Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe për Bashkimin Kundër Punës së Fëmijëve.

Bashkëngjitur Ministrisë së Punës, Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve përmbledh përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, asaj të Drejtësisë, OJQ-ve, Presidencës, organizatave të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Kryetari i Federatës Sindikale të Arsimit dhe të Shkencës në Shqipëri (FSASH), Xhafer Dobrushi, përfaqëson aty sindikatat. Ky komitet koordinon punën e subjekteve të ndryshme për sa i përket punës së fëmijëve, ai analizon legjislacionin shqiptar, bën propozime për amendime të këtij legjislacioni, bën kërkime në fushën e punës së fëmijëve. 

Një « Njësi kundër punës së fëmijëve » (Child Labour Unit) është krijuar në përbërje të Ministrisë së Punës, gjithashtu. Ajo ka aktualisht një punonjëse me kohë të plotë  dhe dy punonjës me gjysëm-kohe. Kjo Njësi shërben si mjet ekzekutiv i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve, që favorizon bashkëpunimin e rregullt midis subjekteve që merren me këtë problem (ministri, OJQ, polici, inspektorë shkollash, sindikata,…) dhe ka për qëllim të realizojë një kërkim sa cilësor aq edhe sasior mbi punën e fëmijëve në Shqipëri.

Kjo Njësi organizon veprimtari të ndryshme praktike, si realizimi i posterave me tematikë punën e fëmijëve ose kurse formimi për inspektorët e punës. Këta të fundit marrin një formim të specializuar për punën e fëmijëve: si ta identofikojnë, si t’i intervistojnë fëmijët, si t’i referojnë rastet e punës së fëmijëve, si të bashkëpunojnë me aktorët e tjerë (polici, inspektorë shkollash, OJQ, etj), mbi përmbajtjen e ligjeve për këtë çështje etj. 27% e inspektorëve të punës në Shqipëri kanë marrë deri tani një formim të tillë.

Le të paraqesim tani disa shembuj të veprimeve të mundshme nga ana e sindikatave shqiptare kundër punës së fëmijëve. Këta shembuj janë fryt i intervistave të bëra me bashkëbiseduesit  tanë dhe i veprimeve të ndërmarra nga sindikatat në vende të tjera që përballen me punën e fëmijëve. Kjo listë sigurisht nuk është shterruese. Çdo sindikatë, federatë ose konfederatë ka për detyrë t’i kundërvihet punës së fëmijëve, ndaj duhet të mendojë për veprimet ose politikat që duhet të zbatojë në praktikë. Diskutimi mbi mundësitë e veprimit është objekt i tryezës së rrumbullakët që do të pasojë Konferencën që do të organizohet nga ICFTU në Tiranë në 11 dhe 12 tetor 2004.

 

1) SINDIKATAT E MËSUESVE

Vihet re një zhvillim pozitiv në përparësitë e veprimit të sindikatave të mësuesve shqiptarë, që qëndron në forcimin e mbrojtjes së mësuesve për të ndjekur me vëmendje sistemin shkollor në tërësi, përfshi këtu cilësinë e mësimdhënies, infrastrukturën shkollore, frekuentimin në shkollë të të gjithë fëmijëve. Sindikatat e mësuesve duan të përhapin idenë se fëmija nuk është vetëm objekt edukimi, por edhe subjekt edukimi. Ato shpjegojnë se ende tregohet shumë pak vëmendje për mosfrekuentimin e shkollës nga fëmijët, ato duan që secili të kuptojë se ky është  hapi i parë që çon drejt shfrytëzimit të punës së fëmijëve dhe më pas ndoshta drejt trafikimit të tyre.  

Pra qëllimi është që mësuesit t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij problemi: atyre që kanë rezultate të këqija, atyre që janë të mënjanuar e të përjashtuar nga shoqëria, atyre që fillojnë të mungojnë shpesh dhe si përfundim e lënë shkollën.  Mësuesit në fakt janë të parët që duhet t’i kuptojnë këto probleme, ata janë të parët që konstatojnë kur nxënësit mungojnë gjithnjë e më shpesh dhe mund të ndërhyjnë para se situata të rëndohet, mund të punojnë me komunitetet dhe administratën vendore, prindërit, ose me OJQ-të. Sindikatat do të dëshironin t’i formonin më mirë mësuesit në këtë drejtim, t’u tregonin cilat janë shenjat e para të braktisjes së shkollës, t’i motivonin dhe t’i mësonin si të kundërveprojnë sa më shpejt.

Të sensibilizojmë të gjithë drejtuesit sindikalë

FSASH ka marrë tashmë disa nisma për të sensibilizuar drejtuesit lidhur me punën e fëmijëve. « Rreth njëzet drejtues nga tanët kanë marrë pjesë, para dy vjetësh, në një seminar të IPEC që ka të bëjë me punën e fëmijëve, shpjegon  Xhafer Dobrushi, Kryetar i  Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës në Shqipëri (FSASH), anëtare e  KSSH që numëron  22.000 anëtarë, konventat ndërkombëtare, legjislacionin shqiptar, pasojat e braktisjes së shkollës, si të veprojmë në raste të ndërprerjes së shkollës, etj. Seminare të tjerë rajonalë pasuan më vonë. Gjithsej rreth 70 drejtues të sindikatave tona kanë marrë pjesë në to. Puna e fëmijëve është bërë një çështje shumë e rëndësishme për FSASH. Ajo do të jetë objekt i një rezolute në Kongresin tonë ardhshëm, në nëntor 2004. Ne dëshirojmë të përdorim rrjetin e mësuesve anëtarë të FSASH për të mobilizuar opinionin publik kundër punës së fëmijëve. Ne përpiqemi gjithashtu të tërheqim vëmendjen e federatave të tjera sindikale për këtë çështje ».   

Të rrisësh numrin e drejtuesve të sindikatave të mësuesve në seminare sensibilizimi për problemin e punës së fëmijëve, është e rëndësishme, në qoftë se duam që mesazhi të përhapet në të gjitha rrethet e vendit, madje edhe në ato më të largëta. Përdorimi i mediave sindikale është shumë i nevojshëm. Sindikatat mund të përdorin revistat e tyre për të botuar artikuj mbi këtë problem, mund të bëjnë postera për të sensibilizuar opinionin për punën e fëmijëve, etj. Përgjithësisht, ata mund të nxisin realizimin e emisioneve në radio ose televizion mbi punën e fëmijëve për të prekur një pjesë më të madhe të popullsisë shqiptare.

Presionet mbi autoritetet

Sindikatat e mësuesve kanë një pozicion të mirë për të bërë presion në nivel kombëtar mbi Qeverinë, me qëllim që kjo të respektojë ligjet që kanë të bëjnë me arsimin  e detyruar dhe punën e fëmijëve, dhe në nivel vendor mbi administratën që ajo të ndjekë familjet fëmijët e të cilave nuk shkojnë në shkollë.

Trafikimet e fëmijëve.

Sindikatat mund të veprojnë duke bindur mësuesit për të zhvilluar rregullisht temën e trafikimit të fëmijëve me nxënësit e tyre. Disa të rinj shqiptarë kanë dëgjuar tashmë të flitet  për  rreziqet e nisjes jashtë shtetit, por si në të gjitha vendet që janë përballur me probleme të mëdha ekonomike, ata shpesh,  kanë prirje  të mendojnë se mua nuk do të më ndodhë kështu ose më keq se ç’jam s’ka për të qenë jashtë shtetit. Një dialog sistematik midis mësuesve dhe nxënësve për këtë problem, me paraqitjen e rasteve ku fëmijët shqiptarë e kanë pësuar shumë keq, mund t’i bëjë ata më të kujdesshëm në këtë drejtim. OJQ-të janë shumë aktive në shpërndarjen e mesazheve të tilla, por nuk kanë të njëjtën rreze veprimi si sindikatat e mësuesve, të cilat kanë anëtarë në të gjitha zonat e vendit.

Duhet nënvizuar gjithashtu se Qeveria shqiptare bashkëpunon me OJQ-të, IPEC dhe programe ose organizata të tjera për të ri-integruar viktimat e trafikut që kthehen në Shqipëri. Anëtarët e sindikatave mund të përfshihen gjithashtu në programet e  

ri-integrimit, nëpërmjet bashkëpunmit me aktorë të ndryshëm për ndjekjen e minorenit të ri-integruar në familje, ndihmën për shkollim, etj

Veprimi i IPEC me OJQ-të

Një fushë për veprimet e mundshme të sindikatave të mësuesve kundrejt fëmijëve  që nuk ndjekin shkollën do të ishte ajo ku veprojnë në katër lokalitete shqiptare  OJQ-të të mbështetura nga IPEC (Shkodër, Elbasan, Berat, Korçë). Në fillim, punonjësit e këtyre OJQ-ve identifikojnë fëmijët që punojnë në qytetin e tyre dhe u propozojnë të vazhdojnë shkollën pasdite, disa orë në kurse të specializuara, që të shmangin prapambetjen. Objektivi është që ata të arrijnë nivelin për t’u integruar përsëri në arsimin zyrtar, ose të paktën, për ata më të mëdhenj në moshë për t’u dhënë një bazë (të shkruajnë  e të lexojnë, aritmetikë, etj) që t’i lejojë më pas të ndjekin  kurse të formimit profesional.    

Është e domosdoshme që këto kurse të bëhen në klasa të veçanta, sepse fëmijët janë shumë më të rritur se niveli i tyre i studimeve që do të kishin në një shkollë normale. Këto klasa duhet të ndodhen gjithsesi brenda ndërtesës së shkollave publike që fëmijët që përfitojnë nga to të mos ndihen të diskriminuar dhe që të integrohen më lehtë në arsimin zyrtar. Kurset  e formimit  profesional, gjithashtu, duhet të bëhen në qendra formimi ekzistuese tashmë, por që  OJQ-të  i drejtojnë drejt zanateve që kërkohen më shumë nga tregu i punës. Qëllimi është bashkëpunimi me punëdhënës potencialë që mund të marrin në punë fëmijë që dalin nga ky projekt i IPEC.

Një nga elementët kyç është  sigurimi i vazhdimësisë së projektit nga punonjësit e OJQ-ve pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre. « Pasi kanë përcaktuar familjet më të rrezikuara, ata vizitojnë prindërit dhe flasin me ta hapur, pa iu « sulur » me kritika të ashpra për faktin se fëmijët e tyre nuk shkojnë në shkollë, shpjegon Snezhi Bedalli, drejtuese e programit të IPEC në Shqipëri. Ata i këshillojnë prindërit mbi rrugët që duhet të ndjekin për të gjetur një punë, një ndihmë sociale, flasin me ta për jetën  e  tyre të  përditshme para se të arrijnë pak nga pak te çështja e shkollimit të fëmijëve. Një nga përgjigjet më të shpeshta që japin prindërit është se ata kanë nevojë jetike për të ardhurat që nxjerr fëmija ose fëmijët për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre. OJQ-të tona partnere u propozojnë atëherë një alternativë: ata marrin rregullisht një shportë me ushqime (të financuar nga Programi Ushqimor Botëror ose IPEC sipas rajoneve), nëse fëmijët e tyre frekuentojnë rregullisht shkollën dhe kalojnë klasën. Në disa raste parashikohet gjithashtu një ndihmë për të blerë veshje dhe materiale shkollore. Kur vendoset një marrëdhënie mirëbesimi, OJQ-të u shpjegojnë prindërve gjithashtu rreziqet e formave më të këqija të punës së fëmijëve, të trafikut të tyre, etj. »  

Punonjësit e OJQ-ve partnerë të IPEC shpjegojnë se shporta ushqimore është një nxitës i rëndësishëm për prindërit, ashtu sikundër mundësia e fëmijëve për të gjetur një formim profesional. Ky program për momentin është i kufizuar në katër lokalitete të Shqipërisë. A mund të propozojnë sindikatat e mësuesve të bashkëpunojnë me të, ose ta shtrijnë projektin për llogari të tyre në rrethe të tjera ?  IPEC në SHqipëri  është shumë i hapur për këtë ide. OJQ-të që kemi takuar dëshirojnë edhe ato t’i përfshijnë sindikatat në këtë punë.Drejtoria e policisë mendon se policitë vendore mund të bashkëpunojnë me mësuesit, kur fëmijët nuk frekuentojnë shkollën para fundit të detyrimit shkollor.

Duhet theksuar se IPEC-u nuk bashkepunon vetem me OJF-te por edhe me qeverine, autoritetet lokale dhe partneret social. Ne kemi zgjedhur te prezantojme kete projekt te ndermarre ne bashkepunim me OJF-te, sepse na dukej me interesanti per nje perfshirje

 

2) SINDIKATAT E SEKTORIT TË KËPUCËVE DHE KONFEKSIONIT

Sindikatat e këtij sektori nuk kanë një ide shumë të saktë mbi shtrirjen e punës së fëmijëve, sidomos për shkak të atmosferës antisindikale të krijuar nga shumë punëdhënës. Një veprim i parë i sindikatave mund të ishte një studim i hollësishëm mbi rastet e punës së fëmijëve në shtëpi, për të vlerësuar se deri në ç’masë është e përhapur gjendja e përshkruar nga punëtorja e Bertonnit, (shih fq 2). Ky studim kërkon shumë vizita në shtëpitë e punëtorëve, vendosjen e një marrëdhënieje mirëbesimi me këta të fundit, etj  

Kur sindikatat shqiptare do të kenë identifikuar rastet e sigurta të punës së fëmijëve në disa ndërmarrje, mund të vënë në dijeni autoritetet dhe punëdhënësit që kanë të bëjnë me këtë gjë. Do të ishte e nevojshme gjithashtu që ata t’ia përcillnin këto informacione ICFTU, Federatës Ndërkombëtare e Punëtorëve të Tekstilit, Veshjeve dhe Lëkurës),  ILO, si edhe sindikatave të vendeve që importojnë prodhime të fabrikuara që të shohim se si, së bashku, mund të gjejmë një zgjidhje për këtë problem

 

3) SINDIKATAT E SEKTORIT BUJQËSOR 

Disa familje fshatare e kanë të vështirë të  kuptojnë rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre, veçanërisht sepse nuk shohin ndonjë mundësi tjetër në të ardhmen, përveç sektorit bujqësor. Sindikatat mund t’i sensibilizojnë për këtë problem, t’u tregojnë përfitimet që mund të kenë fëmijët e tyre nga shkolla (më shumë aftësi për të drejtuar fermën bujqësore, mundësi për të gjetur punë gjetkë, zhvillimin e fëmijës, etj.). Për të arritur këtë, është i nevojshëm një komunikim midis drejtuesve të sindikatave dhe anëtarëve në bazë, sepse ky komunikim është i vështirë në zonat fshatare. Bashkëpunimi midis sindikatave të mësuesve dhe sindikatave të bujqësisë mund të ndihmojë gjithashtu për të identifikuar fëmijët që rrezikojnë të ndërpresin ose të braktisin shkollën, dhe për të ndërmarrë së bashku veprime parandaluese për këtë problem (shih projektin e IPEC).

 

4) SINDIKATAT E MEDIAVE

Siçe kemi shpjeguar më lart, një pjesë e familjeve shqiptare nuk e kuptojnë më rëndësinë e shkollimit të fëmijëve, ose nuk e konsiderojnë si prioritet. Shumë njerëz e banalizojnë gjendjen e punës së fëmijëve, me përjashtim kur ata bëjnë punë shumë të vështira. Kjo mund të jetë edhe pasqyrim i mënyrës si e paraqet media shqiptare punën e fëmijëve: ata interesohen vetëm në raste trafiku ose raste të skajshme, por sipas bashkëbiseduesve tanë, nuk i kushtohet vazhdimisht vëmendje çështjes së punës së fëmijëve në përgjithësi, as bëhen hetime të hollësishme mbi aspektet e saj

Një paraqitje më e mirë cilësore dhe sasiore e problemit të punës së fëmijëve nga mediat shqiptare është e rëndësishme në qoftë se duam të ndryshojmë këtë mentalitet. Mund të bëhen seminare për të formuar gazetarët për këtë problem, veçanërisht  me shembuj praktikë mbi çka është bërë në vende të tjera ku puna e fëmijëve ishte nënvlerësuar dhe tani po kthehet në një prioritet për opinionin publik.

Në këtë drejtim duhet të theksojmë se Sindikata e Pavarur e Artistëve, Gazetarëve dhe Sportistëve, anëtare e BSPSH, ka një departament « të rinjsh » që përpiqet që të sensibilizojë tashmë anëtarët e tij lidhur me punën e fëmijëve. Sindikata ka për qëllim të organizojë një seminar javët e ardhshme për këtë problem, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, familjeve, fëmijëve, sindikatave anëtare të BSPSH por edhe të KSSH, etj. Kjo sindikatë deklaron se numëron 480 anëtarë gazetarë, të shpërndarë në të gjitha mediat në Shqipëri. 

 

5) SINDIKATAT E SEKTORIT TË MINIERAVE

 Disa sindikalistët kanë denoncuar raste të punës së adoleshentëve në minierat shqiptare. Një studim i thelluar mbi ekzistencën dhe përhapjen e këtij fenomeni është i domosdoshëm  para se të shkojmë më tej. Puna në miniera është sigurisht një nga format më të këqija të punës së fëmijëve, që duhet shkulur me rrënjë sa më parë.

Sindikatat e sektorit të minierave duhet të denoncojnë rastet që njohin, me qëllim që autoritetet të marrin masa kundër punëdhënësve të mundshëm. Për fëmijët që punonjnë në minierë mund të parashikohet një formim profesional, psh nga OJQ, partnere të IPEC, struktura të njohura të formimit profesional (Don Bosco), nga bashkëpunimi i sindikatave të mësuesve. Sensibilizimi i komuniteteve pranë minierave për problematikën e punës së fëmijëve do të ishte një nga veprimtaritë e mundshme nga ana e sindikatave në këtë sektor.

 

6) SINDIKATAT E PUNËTORËVE TË TRANSPORTIT

Trafikimi i fëmijëve drejt vendeve të tjera, edhe pse është pakësuar, nuk është zhdukur. Të sensibilizosh punonjësit e transportit për këtë problem mund të ndikojë që disa prej tyre të denoncojnë raste të dyshimta pranë autoriteteve (fëmijë që udhëtojnë vetëm, ose të shoqëruar nga persona të dyshimtë,…).

 

7) ÇDO SINDIKATË

Lufta kundër punës së fëmijëve duhet të jetë një përparësi e lëvizjes sindikale në të gjithë botën. Çdo sindikatë shqiptare duhet të sensibilizojë anëtarët e saj, lidhur me këtë problem në mbledhjet sindikale, në seminare, publikime të medias sindikale, etj.

Do të ishte normale që çdo sindikatë shqiptare të shërbente si burim informacioni i besueshëm mbi ekzistencën dhe përmasat e punës së fëmijëve në sektorin e saj. Aktualisht nuk ndodh kështu në sindikatat shqiptare, pjesërisht për shkak të mungesës së informacionit se shumë fëmijë punojnë në ekonominë informale, por edhe sepse disa prej tyre nuk i japin rëndësinë e duhur luftës kundër punës së fëmijëve.

Zbulimi i ekzistencës së punës së fëmijëve në sektorin e saj, shpesh lidhur me shkelje të tjera të të drejtave themelore, pranimi i këtij problemi lejon të gjesh zgjidhje së bashku me partnerë të rëndësishëm si autoritetet, OJQ-të, programet e ILO, sindikatat e huaja, etj. Sindikatat mund të kërkojnë fusha të tjera bashkëpunimi me programin IPEC të ILO.

Një fushë tjetër veprimi: kur sindikatat kanë marrëdhënie të mira me disa punëdhënës, ato mund të shërbejnë për të lehtësuar punësimin e të rinjve që kanë dalë nga programet e rehabilitimit për fëmijë në vështirësi. Mund të bëhet fjalë për ish fëmijë të trafikuar, fëmijë që s’kanë qenë kurrë në shkollë, etj.  Ekzistojnë shumë programe rehabilitimi që u ofrojnë një formim profesional këtyre të rinjve, dhe kur sheh se disa e ndërpresin punën, kjo është inkurajuese edhe për të tjerët që të marrin pjesë në to. Sipas rasteve, këto programe drejtohen nga OJQ-të ose nga autoritetet.

 

BASHKEBISEDUESIT KRYESOR QE U TAKUAN GJATE MISIONIT KERKIMOR

Snezhi Bedalli, Pergjegjese Kombetare e Programit ILO-IPEC ne Shqiperi

Galit Wolfensohn, Konsulente per mbrojtjen e femijeve prane UNICEF

Shkelqesa Manaj, Pergjegjese e Njesise per Punen e Femijeve (Ministria e Punes dhe Çeshtjeve Sociale

Avni Jashrllari, Drejtor i Policise, Tirane

Gladiola Musabelliu, Perfaqesuese e Njesise per mbrojtjen e femijeve ne Bashkine e Tiranes

Kastriot Muço, Kryetar i KSSH

Gëzim Kalaja, President i BSPSH

Gani Lami, President i Keshillit Sindikal Tirane, BSPSH

Rustem Jahaj, Kryetar i Keshillit Sindikal Durres, KSSH

Dervish Dumi, Keshilltar i Presidentit te BSPSH

Xhafer Dobrushi, Kryetar i Federates se Sindikatavete Arsimit dhe Shkences, (KSSH)

Stavri Liko, Sekretar Ekzekutiv i FSASH, (KSSH)

Bajram Kruja, President i Sindikates se Pavarur te Arsimit Shqiptar, (BSPSH)

Aleks Dushi, Kryetari i Sindikates se Pavarur te Arsimit, Shkoder, (BSPSH)

Rejhane Shkreta, Kryetare e Sindikates se Pavarur te Arsimit, Tirane, (BSPSH)

Bukuroshe Shabani, Kryetare e Sindikates se Pavarur te Arsimit, Elbasan, (BSPSH)

Fran Babaj, President i Sindikates se Pavarur te Artisteve, gazetareve dhe sportisteve, (BSPSH)

Sherif Bulku, President i Sindikates se Pavarur te Artisteve Punetoreve te Ndertimit (BSPSH)

Riza Bengasi, President i Federates Sindikale te Ndertimit, Drurit dhe Sherbimeve Publike, (KSSH)

Eshtem Graci, President i Sindikates se Pavarur te Tekstilit, Veshjeve dhe Lekureve te Shqiperise, (BSPSH)

Hajdar Kanani, Kryetar i Federates Sindikale te Tekstilit, Veshjeve, Lekureve dhe Artizanatit, (KSSH)

Bukurie Dyrmishi, Sekretare e pergjitheshme e Federates Sindikale te Tekstilit, Veshjeve, Lekureve dhe Artizanatit, (KSSH)

Alfred Xhomo, Kryetar i federates Sindikale te Bujqesise, Ushqimit dhe Tregtise, (KSSH)

Elda Dylgjeri, Pergjegjese e Mardhenieve me Jashte, BSPSH

Altin Hazizaj, Drejtor i Qendres per Mbrojtjen e te Drejtave te Femijeve 

Vincent Tournecuillert, Shef i Misionit te Terre des Home ne Shqiperi 

Filip Vila, Administrator i Projektit «Every Child », Shkoder

Anilda Gurakuqi, Punonjese Sociale, « Every Child », Shkoder

Arben Loka, Kordinator i Koalicionit Kunder Trafikimit te Femijeve, Tirane

Robert Stratoberdha, Drejtor i Shoqates «Ndihme per Femijet » (NPF), Korçe

Blerina Vila, Autore e raportit “Realiteti i Punes se Femijeve ne Shqiperi”

Paulin Radovanni, Drejtor i Ndermarrjes Bertonni, Shkoder

Zyber Sinani, Drejtor i Shkolles se Kamze

 

BIBLIOGRAFI

« Albania : Child trafficking in Tirana, Vlora, Korca and Elbasan. A Rapid Assessment Survey », compiled by INSTAT. ILO-IPEC, Tirana, January-May 2003

« Stop Trafic d’enfants. Dossier de présentation du programme Albanie-Grèce », Terre des hommes, octobre 2001

« National Strategy Plan for Children (5 year plan) », National Committee on Women and Family, Republic of Albania, 2001

« Joint East West Research Project on Trafficking in Children for Sexual Purposes in Europe: The Sending Countries - Albanian Report », compiled by Alma Maksutaj, CRCA (Children’s Human Rights Centre of Albania), janvier 2004

« Child Trafficking in Albania. A Comprehensive Report on Child Trafficking in Albania », CRCA, Tirana, juillet 2003.

« Street Working Children in Albania. A Rapid Assessment Survey in Tirana, Shkodra and Vlora », ILO-IPEC et ISB, Tirana, mars 2002

« The Vicious Circle. A report on child labour-Albania », Altin Hazizaj et S. Thornton Barkley, CRCA, mars 2000

« The reality of Child Labour in Albania », Blerina Vila, Central European University, 2000

« Eradiquer les pires formes de travail des enfants: Guide pour la mise en oeuvre de la convention no182 de l'OIT », Guide pratique à l'usage des parlementaires no 3 - 2002. Union interparlementaire, Bureau international du Travail

« Albania – Country Profile 2004 », publié par « The Economist Intelligence Unit »