Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

Ministria e Arsimit dhe Shkences


Federata e Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë

Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë

   

 

KONTRATE KOLEKTIVE

Sot, më datën 4 Korrik 2006,  në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në prani të palëve, nënshkruhet kjo Kontratë Kolektive Pune midis:

Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfaqësuar nga Ministri z. Genc Pollo, nga njëra anë

dhe:

- Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), përfaqësuar nga Kryetari, z. Xhafer Dobrushi

- Sindikatës së Pavarur të Arsimit te Shqipërisë (SPASH), përfaqësuar nga Kryetari z. Bajram Kruja, nga ana tjetër.

Të dy palët, mbas negocimeve të zhvilluara, arritën në përfundimin që të përsëritin Kontratën e deritanishme Kolektive te Punës, duke i bërë asaj plotësimet dhe përmirësimet e nevojshme dhe duke e shtrirë periudhën e Kontratës së re nga data e nënshkrimit të saj deri më 31 Dhjetor 2009.

Në procesin e negocimit me punëdhënësin, të dy sindikatat nënshkruese provuan edhe një here identitetin e tyre, përfshirë depozitimin e vendimeve në Gjykatën e Tiranës, që i njeh ato si persona juridike, statutet përkatëse, numrin e anëtarësisë me lista dhe me kuotizacion, si dhe Marrëveshjen që kanë të dy sindikatat për t’u paraqitur si palë e vetme përpara punëdhënësit për negocimin dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive te Punës. Në bazë të këtyre dokumenteve, SPASH dhe FSASH rikonfirmohen nga punëdhënësi, si partnerët e vetëm në rolin e punëmarrësit për gjithë sistemin e të punësuarve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Te dy palët konfirmojnë se në përfundim të bisedimeve arritën të formulojnë dhe nënshkruajnë tekstin përfundimtar të Kontratës së re Kolektive të Punës, me përmbajtjen që vijon:

Neni 1

Baza ligjore

Kjo Kontratë Kolektive mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenet 50 dhe 51, në Konventat Ndërkombëtare të Punës, veçanërisht në Konventat nr. 87 dhe 98, në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, në nenet 159-188 dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës në tërësi dhe ato në fushën e arsimit në veçanti.

Kjo Kontratë Kolektive Pune, mbështetet gjithashtu në dispozitat e Kontratës së mëparshme Kolektive të nënshkruar me 15 Maj 2002 dhe në bazë të nenit 114 te Kodit te Punës, ruan e mbron arritjet e saj të deritanishme në favor të punëmarrësve, veçanërisht në fushën e shpërblimeve, të kushteve të punës, lirive sindikale etj.

Neni 2

Fusha e zbatimit të Kontratës

2.1. Kjo kontratë i shtrin efektet e saj mbi të gjithë personelin mësimor të sistemit parauniversitar, përfshin edukatoret e kopshteve, mësuesit e ciklit të ulët dhe të lartë të shkollës 9-vjeçare, mësuesit e shkollave të mesme të përgjithshme, profesionale e speciale.

2.2. Për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, për punonjësit ndihmës që janë në vartësi te Drejtorive Arsimore Rajonale, kontratat kolektive te nivelit të dytë lidhen midis DAR dhe Seksioneve Sindikale të dy sindikatave nënshkruese të Kontratës Kolektive të nivelit të parë.

2.3. Dispozitat e Kontratës Kolektive të nivelit të parë janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha nivelet e tjera që legjitimohen për nënshkrimin e Kontratave Kolektive të nivelit te dytë, në kuptimin që këto subjekte nuk mund të përfshijnë në kontratë më pak të drejta për punëmarrësit se sa Kontrata Kolektive e nivelit të parë.

2.4. Palët nënshkruese në kontratat kolektive të nivelit të dytë, mbështetur në natyrën e kërkesave në nivel lokal, në veçoritë e kushteve të punës, mund të përfshijnë në kontratën kolektive të nivelit të dytë të drejta dhe përfitime në favor të punëmarrësve në një vëllim më të madh se ato të nivelit të parë, me kusht që këto të drejta dhe përfitime të mos bien në kundërshtim me dispozitat e shprehura në mënyrë ndaluese në legjislacionin e marrëdhënieve të punës ose dispozitat e Kontratës Kolektive të nivelit të parë.

2.5. Pala e sindikatës në momentin e lidhjes së kontratave të nivelit të dytë, duhet të paraqesë listën zyrtare të anëtarëve të sindikatës së saj.

Neni 3

Kohëzgjatja e Kontratës

Kjo Kontratë Kolektive do të zbatohet nga data e nënshkrimit të saj dhe deri më 31 Dhjetor 2009. Mbas këtij afati, mbështetur në nenin 173 pika 3 të Kodit të Punës, Kontrata Kolektive mund të zgjidhet me kërkesën e secilës palë, por me kusht që pala e interesuar të njoftojë tërheqjen 6 muaj më parë.

Neni 4

P u n Ë s i m i

4.1. Të dy palët bien dakord që kur ndodhin mosmarrëveshje ose konflikte që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës, përfshirë masat disiplinore, transferimet, largimet nga puna, shpërblimet, pagat, lejet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme etj, SPASH dhe FSASH marrin në mbrojtje, duke u ballafaquar vetë si institucione me punëdhënësin e çdo niveli, vetëm ata mësues apo punonjës që janë anëtarë të tyre.

4.2. Anëtarë të sindikatës konsiderohen vetëm ata mësues apo punonjës, që janë deklaruar me shkrim për anëtarësimin në njerën nga sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate dhe që paguajnë rregullisht kuotizacionin sindikal, sipas mënyrës dhe masës që përcaktohen në Statutet e secilës sindikatë.

4.3. Kriteret për punësim që pranohen nga të dy palët nënshkruese me këtë Kontratë Kolektive, të cilat janë të mbështetura në dispozitat përkatëse të Kodit të Punës dhe në Konventat Ndërkombëtare të Punës, duhet të jenë të harmonizuara me Aktet Normative që miraton dhe nxjerr Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe nuk duhet të ketë mospajtim midis tyre.

4.4. Më kryesoret nga këto kritere janë:

a. Punonjësit që do të punësohen në sistemin arsimor parauniversitar duhet të kenë mbushur moshën 18 vjeç.

b. T’i përgjigjen nivelit arsimor për të gjitha ciklet, sipas kritereve që ka miratuar Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Aktet Normative dhe konkretisht:

-         Për arsimin parashkollor dhe për ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, të paktën diplomën e shkollës së mesme pedagogjike, ose të një shkolle tjetër të profilizuar për mësuesit, siç janë shkollat e mesme të muzikës, artistike, të gjuhëve të huaja dhe fizkulturës. 

-         Për ciklin e lartë të arsimit bazë, diplomë të shkollave të larta të mësuesisë 4 ose 3 vjeçare, si edhe diplomë të ish-Instituteve Pedagogjike dy vjeçare. 

-         Për t’u punësuar si mësues i përhershëm në shkollën e mesme, i punësuari duhet të disponojë diplomën universitare të shkollës së lartë.

-          Personi që merret në punë për herë të parë pajiset nga punëdhënësi me Librezë Pune, e cila është unike për të gjithë të punësuarit, sipas modelit të përcaktuar nga organi kompetent.

4.5. Në vitin e parë të punësimit, që vjen menjëherë mbas mbarimit te shkollës, i punësuari në arsim në të gjitha nivelet, që nga kopshtet deri në shkollën e lartë punësohet me kontratë individuale me afat të caktuar, (neni 149 i Kodit të Punës). Ky afat në të gjitha rastet është njëvjeçar.

Nëse me mbarimin e këtij afati nuk do të ekzistojnë kushte ligjore ose te parashikuara në këtë Kontrate Kolektive, që e bëjnë të pamundur vazhdi-min e marrëdhënieve të punës dhe kur punëmarrësi u është përgjigjur me korrektesë detyrimeve që përmban për të kontrata individuale, atëherë i punësuari fiton të drejtën e punësimit me kontratë pune pa afat të caktuar.

4.6. Gjatë periudhës njëvjeçare te punës, mësuesit, edukatoret ose mësim-dhënësit e tjerë gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë edhe kolegët e tyre të punësuar në mënyrë definitive.

4.7. Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën e punës pa shkaqe të arsyeshme. Shkaqe të paarsyeshme konsiderohen ato që përmban neni 146, pika 1, shkronjat a, b, c ,d, dhe e,  i Kodit të Punës.

4.8. Zgjidhja e marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme është e pavlefshme. Në këtë rast punëdhënësi detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim punëmarrësit deri në një vit pagë dhe, me kërkesën e Sindikatave Qendrore nënshkruese të kësaj Kontrate ose me vendim gjykate të formës së prerë, ta rikthejë punëmarrësin në punën e mëparshme. (Neni 146, pika 3 e KP).

4.9. Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës, siç është reforma në arsim, pakësimi i numrit të nxënësve, etj., punë-dhënësi është i detyruar të zbatojë ndaj punëmarrësit këto afate njoftimi:

- Një muaj për të punësuarit që kanë një vit pune.

- Dy muaj për të punësuarit që kanë dy deri në pesë vjet pune

- Tre muaj, për të punësuarit që kanë me shume se 5 vjet pune.

4.11. Zgjidhja e menjëhershme e marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi  ose punëmarrësi bëhet duke respektuar dispozitat e neneve 153 deri 156 të KP.

Punonjësit jo mësimorë, përfshire të punësuarit në administrate, në konvik-te, pastrueset, rojet etj., kur merren në punë për here të parë i nënshtrohen periudhës 3 mujore të provës, sipas nenit 142 të Kodit të Punës.

Kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësojnë punonjësit jo mësimorë në  arsimin parauniversitar në periudhën e provës, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në konsultim me sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive të Punës.

4.12. Punonjësit që nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 4.4, 4.5 dhe 4.7 të kësaj Kontrate Kolektive, mund të punësohen në arsim si përjashtim dhe vetëm në mënyre të përkohshme.

4.13. Kur për një vend pune konkurrojnë dy ose më shumë kandidatura, punëdhënësi, drejtori i DAR ose drejtori i ZA, krijon një komision të posaçëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatave, i cili bën përzgjedhjen mbi bazën e këtyre kritereve:

-         Nivelin arsimor, notën mesatare, vjetërsinë në punë në arsim, duke preferuar ata mësues që kanë punuar për një periudhë më të gjatë se 3 vjet larg vendbanimit ose në zona të vështira.

-         Kurset e kualifikimit dhe specializimet e njohura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përfshirë titujt shkencorë ose pedagogjikë që ka mbrojtur dhe fituar kandidati që konkurron.

4.14. Kushtet e punësimit të personelit në institucionet e arsimit special dhe të institucioneve të tjera botuese ose të shërbimit do të trajtohen me kontrata të nivelit të dytë.

4.15. Në vendet që krijohen të lira për punësim, përveç kritereve të përcaktuara në nenin 4.13, kanë përparësi edhe mësuesit e cilësuar “invalidë pune” me vendim të komisionit përkatës.

Neni 5

Ndryshimi i vendit te PUNËS

5.1. Sindikatat mbështetin kërkesat e anëtareve të tyre të punësuar në arsim për ndryshimin e vendit të punës. Sindikatat, së bashku me kërkesën e të punësuarit, i paraqitin punëdhënësit përkatës edhe mendimin e tyre me shkrim dhe të argumentuar, jo më vonë se data 15 maj të çdo viti.

5.2. Miratimin ose mosmiratimin e kërkesës së punëmarrësit për ndryshimin e vendit të punës, punëdhënësi është i detyruar t’ia njoftojë me shkrim punëmarrësit 30 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse.

5.3. Ndryshimet e vendit të punës të bëra për shkaqe objektive me iniciativën  e punëdhënësit, bëhen vetëm për raste te veçanta dhe për nevoja madhore në arsim. Si rregull, punëmarrësit i ndryshohet vendi i punës vetëm para fillimit të vitit mësimor dhe duhet t’u përmbahet këtyre kritereve:

-         Kualifikimit,

-         Vjetërsisë në punë,

-         Rezultateve në punë,

-         Nivelit arsimor,

-         Gjendjes shëndetësore, në kuptimin që lëvizja në punë nuk duhet të ndikojë në keqësimin e shëndetit të punëmarrësit.

-         Kushteve ekonomike dhe të jetesës, në kuptimin që lëvizja në punë nuk duhet të sjellë për punëmarrësin uljen ose përkeqësimin e këtyre kushteve.

-         Disiplinës në punë dhe zbatimit të ligjit.

-         Për gratë me fëmijë nën moshën tre vjeç, lëvizja në punë nuk bëhet kur rruga vajtje-ardhje zgjat më shumë se 30 minuta në këmbë, me përjashtim të rasteve kur transferimi bëhet me kërkesën e punëmarrësit ose është në favor të tij.

5.4. Ne çdo rast ndryshimi i vendit të punës bëhet vetëm brenda njësisë administrative në juridiksion të Zyrës Arsimore dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale.

5.5. Urdhri për ndryshimin e vendit te punës duhet t’i jepet punëmarrësit me shkrim dhe i motivuar, 30 ditë para ekzekutimit të parashikuar.

5.6. Punëdhënësi është i detyruar të ruajë vendin e punës:

-         për gratë shtatzana ose me leje për mirërritjen e fëmijëve,

-         për punonjësit që nuk gëzojnë shëndet të plotë dhe që këtë e provojnë me raport mjekësor, për aq kohë sa zgjat paaftësia e përkohshme. Këtë të drejtë e përfitojnë edhe punëmarrësit që marrin leje për kujdes familjar, me ose pa të drejtë rroge sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

5.7. Me kërkesën e sindikatave nënshkruese, punëdhënësi është i detyruar t’i verë në dijeni ato për motivet e transferimit, për pasojat juridike, ekonomike dhe sociale që vijnë në këtë rast.

Kur ka kundërshtime nga sindikata ose i interesuari, brenda 30 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, palët duhet të bëjnë konsultime dhe të gjejnë zgjidhjet ligjore, në të kundërt secila palë rezervon të drejtën t’i drejtohet Zyrës së Pajtimit, në rast të kundërt i drejtohen Gjykatës, vendimet e të cilës janë të detyrueshme për palët.

5.8. Punëdhënësi mund t’i ndryshojë vendin e punës punëmarrësit gjatë procesit mësimor vetëm në raste përjashtimore:

-         Kur kemi të bëjmë me thyerje të rënda të disiplinës në punë, me shkelje të ligjit ose të kontratës kolektive.

-         Për nevoja madhore në arsim. Në këto raste duhet të merret medoemos pëlqimi i FSASH ose SPASH, kur objekt i lëvizjes në punë janë anëtarët e tyre dhe lëvizja nuk mund të zgjatë më shumë se 1 vit.

-         Kur nuk plotësohet norma e ngarkesës mësimore për punëmarrësin.

Neni  6

Koha e PUNËS

6.1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate, brenda vitit 2007 të studiojë ngarkesën mësimore të mësuesve të arsimit parauniversitar, duke përfshirë në elementin “ngarkesë” edhe komponentë të tjerë, të cilët mësuesi i përballon aktualisht, por që nuk i njihen në ngarkesë.

6.2. Kohëzgjatja e punës javore është 5 ditë në javë, nga e hëna deri të premten.

6.3. Ngarkesa aktuale mësimore javore për punonjësit mësimorë (edukato-rët) në arsimin  parashkollor është 30-36 orë në javë.

6.4. Ngarkesa mësimore javore për punonjësit në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm të jetë konform Udhëzimeve të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Mësuesit të ciklit të ulët dhe mësuesit që ka klasë në kujdestari, i barasvlerësohet kjo punë me një orë suplementare.

6.5. Ngarkesa mësimore e punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar do të jetë në përputhje me udhëzimin përkatës te Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

6.6. Ngarkesa aktuale mësimore e mësuesve të cilësuar “invalidë pune” do të jetë në përputhje me Vendimin e KMCAP.

6.7. Mësimdhënësit gëzojnë të drejtën për punë suplementare të pagueshme deri në 30% të ngarkesës mësimore.

6.8. Mësuesit e cilësuar “invalidë pune” nuk mund të ngarkohen mbi normë.

6.9. Në rastet kur nuk plotësohet norma mësimore pagesa të bëhet konform udhëzimeve për ngarkesën mësimore.

6.10. Orët shtesë mbi normë për veprimtaritë mësimore-edukative në ditët e pushimit javor për realizimin e programit ose të aktiviteteve zyrtare që bëjnë DAR dhe ZA, do të paguhen sipas neneve 91, pika 3 e KP.

6.11. Mësuesi është i detyruar të paraqitet në shkollë 20 minuta para fillimit të mësimit të tij. Mbas kryerjes së orëve ditore të mësimit, nëse nuk ka angazhime të tjera që lidhen me detyrën e tij si mësues dhe detyrat që i ngarkohen nga drejtoria e shkollës, ai mund të largohet nga shkolla.

6.12. Në raste të veçanta, me miratimin e Drejtorisë Arsimore, mund të angazhohen edhe mësues që janë në pritmëri për t’u emëruar ose mësues pensionistë, deri në 10 orë mësimi në javë, plus orët e provimeve sipas akteve nënligjore.

6.13. Koha e punës për të punësuarit e tjerë të përcaktuar në Nenin 2 të kësaj Kontrate rregullohet me VKM.

6.14. Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet të marrë masat e nevoj-shme për normalizimin e numrit të nxënësve në klasë, në ato zona ku ky fenomen është problem.

6.15. Ministria e Arsimit dhe Shkencës të marrë masat e nevojshme për studimin e numrit të nxënësve për klasë, në sistemin arsimor parauniversi-tar, me synimin që të arrijë gradualishr në 32 nxënës për klasë.

Neni 7

Koha e pushimit

7.1. Edukatoret e arsimit parashkollor gëzojnë të drejtën e lejes vjetore të pagueshme prej 32 ditë pune në vit pa ndërprerje.


7.2. Mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të gjitha kategorive si dhe pedagogët e shkollave të larta gëzojnë të drejtën e një lejeje vjetore të pague-shme prej 56 ditë pune, e cila përfshin, përveç pushimeve verore, edhe ditët e pushimit kur mësimi ndërpritet sipas programit mësimor vjetor. Për periudhën e verës koha e pushimit nuk mund të ndërpritet më shumë se një herë dhe kjo vetëm për punë arsimore dhe edukative.


7.3. Të punësuarit në institucionet që varen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, administrata e sistemit arsimor, si edhe punonjësit e shërbimeve gëzojnë të drejtën e pushimeve vjetore sipas kritereve të caktuara me VKM, por jo më pak se 4 javë kalendarike.


7.4. Për efekt të lejes vjetore, në kohën e punës llogaritet edhe koha e paaftësisë së përkohshme në punë.


7.5. Punëmarrësit anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, në rast martese ose vdekjeje të bashkëshortit, të paraardhësve ose pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, të motrave dhe vëllezërve, përfitojnë një pushim të paguar prej 5 ditësh.


7.6. Në rast sëmundjeje të rëndë të paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punonjësit e arsimit, anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, përfitojnë deri në 10 ditë leje të papagueshme në muaj, por jo më shumë se 6 muaj rresht.


7.7. Me kërkesën e SPASH dhe FSASH, të zgjedhurve në kryesitë e sindikatave në shkallë rrethi dhe këshilli sindikal, u sigurohet leje e pagueshme për të marrë pjesë në veprimtaritë sindikale lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Kërkesa i paraqitet DAR ose ZA nga kryesitë e seksioneve sindikale vendore, të paktën 5 ditë para aktivitetit. 

Neni  8
Sistemi i pagave dhe SHPËRBLIMEVE

8.1. Mbështetur në Strategjinë e Arsimit parauniversitar dhe në Programin e Qeverise, që e konsideron arsimin si sektor parësor, të dy palët bien dakord që të ndërtojnë e zbatojnë një sistem pagash dhe shpërblimesh që mundëson një vlerësim më të mirë të figurës dhe punës së mësuesit e pedagogut dhe një motivim më të madh të tij, në bazë të angazhimit në procesin e reformimit e modernizimit të arsimit dhe të cilësisë së punës që kryen.


8.2. Punëdhënësi dhe punëmarrësi bien dakord që, në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, te Kartës së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Kartës Sociale Evropiane, të garantojnë për të punësuarit pagë të barabartë për punë të barabartë dhe profesion të njejtë, pa asnjë dallim.


8.3. Pagat e punonjësve mësimorë dhe ndihmës në sistemin e arsimit parauniversitar janë sipas strukturës së pagave të miratuara me VKM nr. 194 datë 22.04.1999 dhe të plotësimeve, shtesave e ndryshimeve të bëra në këtë vendim, ose me vendime të veçanta të Këshillit te Ministrave, që lidhen me rritjet dhe përmirësimet e herëpashershme të pagave të punonjësve të arsimit.


8.4. Në bazë të nenit 1 të Ligjit nr. 8487 datë 13.05.1999 “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, për ndryshimet, shtesat, plotësimet, përmirësimet dhe rritjet e mëtejshme të pagave të punonjësve të sistemit të arsimit parauniversitar, që mbrohen me këtë Kontrate Kolektive, punëdhënësi është i detyruar që në procesin e hartimit të buxhetit të çdo viti të konsultohet dhe të marrë mendimin e sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive, përpara se propozimet përkatëse të dërgohen në Qeveri.


8.5. Në bazë të nenit 21 të Kartës Sociale Evropiane për të drejtën e partnerëve socialë për informim dhe me qëllim që të luftohen me efikasitet shpërdorimet dhe korrupsioni në menaxhimin e buxhetit të arsimit, sidomos për pagat, shpërblimet, shpenzimet operative dhe investimet, punëdhënësi është i detyruar që të njohë përfaqësuesit kryesorë të Sindikatave Qendrore me të gjitha të dhënat përkatëse financiare, të burimeve njerëzore, etj.

 
8.6. Paga e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni të kësaj Kontrate Kolektive është e garantuar për të gjithë të punësuarit në arsim në mënyrë definitive.


8.7. Me kërkesën e sindikatave nënshkruese të Kontratës Kolektive, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bie dakord t’i propozojë Qeverisë, që në Vendimin e KM nr. 194 datë 22.04.1999, të bëhen këto shtesa:
a. Në lidhjen nr. 1 “Struktura e pagës për vjetërsi mësimore”,që i bashkëngjitet këtij vendimi, në kolonën “shtesa për vjetërsi në punë”, shtesa prej 2% në vit të jetë për vjetërsi në punë dhe jo vjetërsi në profesion, duke shfuqizuar pikën (2) II, të vendimit nr. 194.
b. Në kolonën “shtesa për kualifikim” të po kësaj Lidhjeje të shtohet një element i katërt për ata mësues që kanë mbi 25 vjet pune, të cilët shtesën për kualifikim duhet ta përfitojnë jo 20% siç është sot, por 25%.


8.8. Shpërblimet dhe përfitimet që lidhen me piken 8 të këtij neni janë:
a. Kur jemi përpara kërkesave që lidhen me nevoja madhore në arsim, siç është rasti kur në zona të thella apo të largëta rurale, ose si përjashtim edhe në zona urbane, ka mungesa mësuesish me arsim përkatës, drejtorët e DAR ose ZA, mbasi marrin mendimin me shkrim të partnerëve sindikalë vendorë, mund të emërojnë dhe dërgojnë në këto vende pune mësues me kualifikimin përkatës, vetëm me kontratë njëvjeçare, e cila mund të përsëritet, duke i paguar sipas vendimeve në fuqi.
b. Në fund të çdo viti mësimor, DAR dhe ZA, në bashkëpunim me seksionet sindikale përkatëse, duke u mbështetur në auditimet e kryera dhe në vlerësimet që bëjnë drejtorët e shkollave dhe këshillat sindikale përkatëse, shpallin për çdo shkollë e rreth mësuesit më të mirë të vitit.


8.9. Kur mësuesit kryejnë ore mësimi mbi ngarkesën mësimore vjetore të parashikuar në këtë kontratë, orët suplementare u paguhen sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi.


8.10. Mësimdhënësit që punojnë larg vendbanimit të tyre marrin një shtese në pagë sipas kritereve që përmban V.K.M nr. 230, datë 19.04.2006. Masa e shpërblimit për mësuesit që punojnë brenda njësisë administrative të DA të tyre dhe që kthehen brenda ditës në shtëpi bëhet sipas vendimeve përkatëse për pagesa.


8.11. Mbështetur në nenin 117 të Kodit të Punës, nga paga mujore e mësuesit bëhen vetëm këto zbritje:

  1. Tatimi mbi të ardhurat e punonjësit.
  2. Kontributet e sigurimeve shoqërore të caktuara me VKM.
  3. Kuotizacioni i anëtarësisë në sindikatë mbi bazë vullnetare.

8.12. Sindikatat, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, marrin përsipër të negociojnë me Këshillin e Ministrave, për  masën e shpërblimit, nga fondi i veçantë , të punonjësve mësimorë  të sistemit të arsimit parauniversitar, në raste evenimentesh, fatkeqësish, martesa, vdekje në familje etj.


8.13. Me autorizim me shkrim nga sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate kolektive, mësuesit që dalin në pension përfitojnë deri në dy paga mujore shpërblim, brenda buxhetit vjetor të planifikuar për çdo njësi administrati-ve, si dhe në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Neni 9
MBËSHTETJA E STRATEGJISË, REFORMIMIT DHE MODERNIZIMIT TË ARSIMIT


9.1. Sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate kolektive, konfirmojnë se arsimi cilësor publik dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës do të jenë prioritet i punës së tyre, se mbështesin dhe përfshihen aktivisht në proçesin e zbatimit të Strategjisë së Arsimit , për reformimin dhe modernizimin e këtij sektori dhe se vlerësojnë programin e Qeverisë që e ka shpallur arsimin sektor prioritar.


9.2. Nëpërmjet seminareve, tryezave, diskutimeve në këshillat sindikale e forumet sindikale, sindikatat do të zbërthejnë aspekte të veçanta të Strategjisë së Arsimit. përfshirë kurrikulat, proçesin e vlerësimit, të motivimit, tekstet etj, duke e vënë theksin në njohjen dhe zbatimin e këtyre kërkesave nga mësuesit dhe antarët sindikal.


9.3. Të dy sindikatat bien dakord që të bashkërendojnë punët për arritjen e këtyre qëllimeve.

Neni 10
ANGAZHIM PËR ULJEN E NUMRIT TË FËMIJËVE QË BRAKTISIN SHKOLLËN DHE ELEMINIMIN E PUNËS SË FËMIJËVE.

10.1 Të dy sindikatat e arsimit, FSASH E SPASH, angazhohen që me mundësitë e tyre dhe me mbështetje të tjera, sidomos nga Federata Ndërkombëtare e Arsimit, EI, nga sindikatat homologe, etj, të bëjnë një punë të veçantë për uljen e numrit të fëmijëve që braktisin shkollën dhe eleminimin e punës së fëmijëve.


10.2. Nëpërmjet trajnimeve të drejtuesve sindikal dhe të anëtarëve të sindikatave si dhe nëpërmjet formave të tjera të punës konkrete në shkolla e në komunitet, ato do të synojnë për rritjen e mësuesve të angazhuar në një punë të veçantë me nxënësit që braktisin shkollën ose që janë në rrezik për ta braktisur atë, duke krijuar për ta një mjedis më tërheqës dhe më prindëror dhe duke pasur si objektiv eleminimin e punës së fëmijëve.


10.3. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, duke e patur si një ndër prioritetet e strategjisë së saj, mbështet këtë angazhim dhe siguron gadishmërinë e administratave të shkollave për veprime të përbashkëta, duke nxitur edhe përfshirjen e organeve të nxënësve dhe prindërve që veprojnë në shkolla. 
                                

Neni 11
Kushtet e punës

11.1. Shteti subvencionon shpenzimet për transportin e mësuesve dhe nxënësve të arsimit të detyruar që punojnë e mësojnë larg vendbanimit të tyre dhe që kthehen brenda ditës në vendbanim sipas vendimeve përkatëse.


11.2. Në kuadrin e marrëveshjeve midis dy palëve, të përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe shkencës, në konsultim me sindikatat, kriteret për kualifikimin e mësuesve.


11.3. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në konsultim me sindikatat, te përcaktojnë kritere për përzgjedhjen, emërimin dhe kualifikimin e drejtuesve të shkollave.


11.4. Bazuar ne Udhëzimin nr. 2 date 25.06.2004 të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të punësuarit në arsim si edukatore kopshti ose mësues në sistemin parauniversitar përfitojnë një herë në vit një ekzaminim mjekësor falas.

Neni 12
MarRëdhëniet me pushtetin vendor, komunat, bashkitë, qarqet dhe prefekturat

12.1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës merr përsipër që DAR dhe ZA të paraqiten si palë e përbashkët me Seksionet Sindikale në rrethe përpara komunave, bashkive, këshillave të qarqeve dhe prefektëve, për :
a -sigurimin e kushteve normale të punës në shkollë, ruajtjen dhe mirë-mbajtjen e mjediseve të saj;
b - sigurimin e transparencës për mjetet financiare që caktojnë Këshillat e Qarqeve, të Komunave dhe Bashkive për arsimin dhe miradministrimin e tyre;
c - zbutjen dhe eliminimin e fenomenit te punës së fëmijëve;
d- të ndihmuar seksionet sindikale për vjeljen e kuotizacioneve të anëtarë-sisë, duke i zbritur ata nga paga në listë pagesa, mbështetur në nenin 117/2 dhe 181 pika 7, shkronja “c” e Kodit të Punës.
Këto veprime, sektorët ekonomike të komunave dhe bashkive i kryejnë një herë në 6 muaj, ose kur është e mundur me shpesh dhe vetëm mbasi sindikatat paraqesin pranë qendrave ekonomike ose zyrave të llogarisë se tyre, listat e anëtarëve, në të cilat mësuesi ose punonjësi i anëtarësuar deklaron se është anëtar i sindikatës përkatëse për një periudhe prej jo më pak se një vit dhe se autorizon pagesën e kuotizacionit nëpërmjet listë-pagesave.


12.2. Masa e kuotizacionit për çdo anëtar përcaktohet në statutet, që secila sindikatë ka depozituar pranë punëdhënësit, ose në vendime të posaçme të këshillave të tyre drejtuese, duke respektuar marrëveshjet që sindikatat kanë ndërmjet tyre.

Neni 13
Liritë sindikale

13.1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës tërheq vazhdimisht mendimin e sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive në procesin e hartimit të Akteve ligjore e nënligjore që lidhen me reformën në arsim, me marrëdhëniet e punës, pagat, shpërblimet, kushtet e punës, etj.


13.2. Sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate të pajisen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me aktet e nxjerra prej saj, jo më vonë se 20 ditë nga momenti i shpalljes së tyre.


13.3. Për të garantuar të zgjedhurit në vendet drejtuese sindikale në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë kryetarin, n/kryetarin dhe sekretarin e Këshillit Sindikal të rrethit, si dhe kryetarët e Këshillave Sindikale në shkolla, punëdhënësit i ndalohet t’i largojë ata nga puna, ose t’u ndryshojë vendin e punës, pa marrë më parë pëlqimin me shkrim të Kryesisë së SPASH e FSASH, përveç rasteve kur vërehen shkelje të ligjit ose të Kontratës kolektive ose individuale te punës.


13.4. Drejtuesve te Seksioneve sindikale në rrethe të secilës sindikatë nënshkruese të Kontratës Kolektive, për t’u mundësuar marrjen me veprimtari sindikale, mbështetur ne nenin 181, pika 7 e Kodit te Punës, u reduktohet ngarkesa mësimore javore, nga 5 deri në 10 orë në javë, si rregull, sipas numrit të anëtarësisë me kuotizacion.
Për Seksionet Sindikale në Qarqe, që kane me shumë se 600 anëtarë, i reduktohet norma mësimore javore edhe një personi të dytë me 6-8 orë në javë.
Masa konkrete e reduktimit të ngarkesës mësimore javore për çdo drejtues seksioni vendoset me marrëveshje midis dy sindikatave dhe u njoftohet Drejtorive Arsimore Rajonale ne fillim te çdo viti mësimor. Titullarët e Sindikatave Qendrore mund të anulojnë në çdo kohë kërkesën e tyre për ulje të normës mësimore për ata drejtues sindikalë vendorë që nuk e justifikojnë këtë lehtësi që u bëhet.


13.5. Sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive njihen me të gjithë treguesit ekonomiko-financiar në nivel qendror dhe lokal.


13.6. Me kërkesën e kryesive të dy sindikatave nënshkruese të Kontratës, Drejtoria Arsimore e Qytetit Tiranë i vene në dispozicion të tyre, për t’u marre me veprimtari sindikale, nga një mësues secila për secilën sindikate me ngarkese mësimore javore te reduktuar, duke i ngarkuar këta mësues me jo më shumë se 12 orë mësimi në javë.


13.7. Në pajtim me nenin 181, pika 6 e Kodit të Punës, të zgjedhurit në organet sindikale në qendër e në rrethe, me mbarimin e mandatit, kanë të drejtë për t’u rikthyer në punë në profilin e tyre.


13.8. Dita e Mësuesit, 7 Marsi dhe Dita Ndërkombëtare e Mësuesve, “5 Tetori” do të jenë në të gjithë vendin ditë veprimtarish kushtuar kësaj feste.


13.9. Veprimtaritë sindikale zhvillohen në mjediset e shkollës, pa dëmtuar procesin mësimor. Seksionet dhe Këshillat Sindikale kanë të drejtë të shpërndajnë dhe publikojnë në mjediset e shkollës, njoftime, programe, objektiva, përfshirë Kontratën Kolektive dhe dokumente të tjera të tyre.


13.10. Kryetarëve të Këshillave Sindikale në shkolla që përfaqësojnë më shumë se 15 anëtarë, nuk duhet t’u jepet klasë në kujdestari.


13.11. Ministria e Arsimit dhe e  Shkencës , sipas mundësive të saj, u siguron dy sindikatave qendrore, mjedise dhe paisje për zhvillimin normal të veprimtarisë së tyre, ndërsa Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të rretheve brenda mundësive të tyre t’u sigurojnë ambjente dhe paisje pune seksioneve sindikale të FSASH dhe SPASH.


13.12. Për të lehtësuar pjesmarrjen e kryetarëve të seksioneve sindikale të rretheve në mbledhjet e këshillave drejtuese qendrore të tyre, për 4 (katër) mbledhje në vit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të rretheve, mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe dietat, mbi bazën e vërtetimeve me shkrim të lëshuara nga kryesitë e sindikatave qendrore.

Neni 14
Statusi i MËSUESIT

14.1 Te dy palët bien dakord që të intensifikojnë punën e nisur për përfundimin brenda vitit të një drafti për Statusin e Mësuesit.

Neni 15
Zgjidhja e MOSMARRËVESHJEVE

15.1. Për rastet kur ka shkelje, keqinterpretim apo keqzbatime të një ose disa neneve të kësaj Kontrate, pala e interesuar do të ndjekë procedurën e mëposhtme për zgjidhjen e tyre:
a-Të punësuarit sipas kësaj Kontrate, kur kanë ankesa, së pari duhet ta diskutojnë dhe ta zgjidhin çështjen me titullarin e institucionit me mirëkuptim dhe, kur ai e shikon të nevojshme, i shoqëruar nga Kryetari i sindikatës ku ai bën pjesë.
b-Nëse ankesa nuk zgjidhet me mirëkuptim sipas pikës 14.1 i interesuari ose sindikata i drejtohet me shkrim titullarit të institucionit, në të cilin ka lindur ankesa, brenda 30 ditëve nga momenti i paraqitjes së ankesës, duke parashtruar edhe arsyet e saj.
c-Në parashtrimin e ankesës duhet të përfshihen: emri i të punësuarit, paraqitja e fakteve, përcaktimi i nenit të shkelur në kontratë me referencat përkatëse, si edhe shkeljet e akteve ligjore ose nënligjore.
d-Brenda 10 ditëve, pasi merr ankesën, titullari i institucionit komunikon vendimin me shkrim për ankuesin.
e-Brenda 30 ditëve pasi merr vendimin e titullarit, ankuesi mund ta apelojë këtë vendim tek instancat më të larta. Ai bëhet me shkrim dhe duhet të shoqërohet me kopjen e vendimit të titullarit të institucionit.
f- Titullari i instancës më të lartë ose një person i autorizuar prej tij, brenda 30 ditëve komunikon përgjigjen me shkrim për të interesuarin dhe për sindikatën.
g- Kur ankesa është në nivel sindikate rrethi, procedura e mësipërme ndiqet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, së bashku me përfaqësues të Kryesisë së FSASH dhe SPASH.
h- Nëse pas kësaj procedure, konflikti nuk gjen zgjidhje, pala e interesuar i drejtohet Gjykatës
.

Neni 1

Detyrimet dhe sanksionet

16.1. Palët kontraktuese janë të detyruara të përmbushin dhe respektojnë detyrimet që lindin nga Kontrata, duke respektuar kërkesat dhe duke zbatuar zgjidhjet qe përmbajnë nenet 169 deri 172 të Kodit të Punës.

16.2. Në rast të thyerjes së disiplinës në punë, dëmtimit të rëndë ose të përsëritur të pasurisë së institucionit, punëmarrësve u jepen këto masa disiplinore:

a.      Këshillim,

b.      Vërejtje,

c.      Vërejtje me paralajmërim,

d.     Zbritje ne detyrë deri në 6 muaj,

e.      Dëmshpërblim i dëmit, ne masën që vendos Gjykata, dhe

f.       Largim nga puna

16.3. Në rast të thyerjes së rëndë të etikës në punë dhe të sjelljeve ekstre-miste të padenja, nga ana e punëmarrësit mund të bëhet zgjidhja e menjëhershme e kontratës individuale të punës, bazuar në Nenin 153 të Kodit të Punës.

 

Neni 17

E drejta e aksionit sindikal dhe e GREVËS

17.1. Për arritjen e qëllimeve të tyre që janë mbrojtja e interesave dhe kërkesave sociale ekonomike të anëtareve që përfaqësojnë, në mbrojtje të zhvillimit të reformës dhe modernizimit të arsimit, të rritjes së cilësisë së procesit mësimor, sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive, si partnere të ligjshme të punëdhënësit, MASH dhe Qeverise, do të përdorin në radhë të parë negocimin dhe dialogun social, do të bëjnë argumentimin social e ligjor të kërkesave të tyre.

17.2. Por, nëse rrugët dhe mjetet sindikale që përshkruhen në piken 1 të këtij neni nuk do te japin rezultat, në kuptimin që nuk do të çojnë në zgjidhjen e kërkesave të parashtruara, në bazë të nenit 50, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë, që garanton të drejtën e grevës dhe në bazë neneve 197, 197/1, 197/2, 197/3, 197/4, 197/8, 197/9 dhe 197/10, të Kodit të Punës, të dy Sindikatat Qendrore nënshkruese të Kontratës Kolektive kanë të drejtë të përshkallëzojnë lëvizjen sindikale me anë të protestave, manifestimeve deri te greva e pjesshme ose e përgjithshme.

 

Neni 18

Të ndryshme

18.1. Palët mund t’i bëjnë plotësime dhe ndryshime kësaj Kontrate gjatë periudhës që ajo është në fuqi, në përputhje me ndryshimet që mund të ndodhin në legjislacion ose ndryshime të tjera, me pëlqimin e të dy palëve. Ndryshimet apo plotësimet do të bëhen vetëm me shkrim.

18.2. Palët mund të zgjidhin Kontratën në çdo kohë për shkaqe të arsyeshme të parashikuara  në ligj. Për këtë është i nevojshëm njoftimi paraprak, me shkrim, zyrtarisht 3 muaj përpara. Po kështu, palët mund të vendosin zgjatjen e afatit të kësaj Kontrate tej asaj që është parashikuar në Nenin 3, por zgjatja duhet bërë me shkrim.

18.3. Dispozitat e kësaj Kontrate Kolektive janë të detyrueshme për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit e nivelit të dytë, përfshirë Drejtoritë Arsimore e drejtoritë e shkollave, Prefekturat, Këshillat e Qarqeve, Bashkitë dhe Komunat si dhe Seksionet Sindikale të FSASH e SPASH.

18.4. Kontratat Kolektive të nivelit të dytë konsiderohen anekse të kësaj Kontrate dhe përfshijnë problematikën specifike vendore.

 

Kontrata Kolektive e Punës, hartohet në katër kopje të barazvlefshme, nga të cilat një depozitohet në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, një në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe nga një në secilën sindikatë nënshkruese.

 

Për S.P.A.SH.

Për F.S.A.SH.

Për MINISTRINË E ARSIMIT DHE SHKENCËS

KRYETARI

KRYETARI

MINISTRI

Bajram Kruja

Xhafer Dobrushi

Genc Pollo